Maqedoni

Gjykata i shpall të pavlefshme “bombat” e Zaevit, LSDM: Gruevski nuk do të mund t’i ikë drejtësisë

02.09.2015 15:59

LSDM ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Themelore Shkupi 1, e cila i shpalli të pavlefshme dëshmitë apo audio-incizimet...

LSDM ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Themelore Shkupi 1, e cila i shpalli të pavlefshme dëshmitë apo audio-incizimet nga bisedat e përgjimeve të publikuara në të ashtuquajturat “bomba” të kreut të LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Oliver Spasovski nga LSDM tha sot se Nikolla Gruevski, me kërkesë që të ndahen materialet nga bisedat e përgjuara, e pranoi fajin e tij për të gjitha krimet që i ka bërë qytetarëve të vendit. 
 
“Doli në pah frika më e madhe e Nikolla Gruevskit dhe kjo gjë është përballja me akuzat. Vendimi i djeshëm i Gjykatës Themelore Shkupi 1 është  joligjor. Gjykata nuk ka të drejtë të veprojë me kërkesë të Nikolla Gruevskit dhe të dyshuarve tjerë për ndarjen e këtyre dëshmive në këtë fazë të procedurës. Instanca më e lartë gjyqësore është e obliguar që të sjellë vendime për ndërprerjen e vendimeve të këtilla joligjore të gjykatësit në procedurë paraprake hetuese. Gjykatësi që e pengon drejtësinë dhe i ndihmon të akuzuarit në procedurë penale nga krimi i organizuar, sipas praktikës ndërkombëtare gjyqësore dënohet me dënimin më të lartë se i akuzuari. Ky skandal vetëm e vërtetoi patjetërsueshmërinë e prokurorit special. Gruevski dhe bashkëpunëtorët e tij nuk mund t`i ikin drejtësisë”- deklaroi sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Oliver Spasovski.
 
Në arsyetimin me shkrim të Gjykatës Themelore Shkupit 1 thuhet se provat e paraqitura nga LSDM para prokurorisë kanë qenë të siguruara në mënyrë joligjore dhe si të tilla, bazuar në Ligjin për procedurë penale, nuk mund të përdoren gjatë procedurës hetimore e as nuk mund të jenë bazë për sjelljen e ndonjë vendimi gjyqësor. 
 
BESIM ABDULLAI