Ekonomi
Borxhi qeveritar në shifra alarmante, Ramadani: Të ulen shpenzimet joproduktive
02.09.2015 16:31
Maqedonia po përballet me një shumë relativisht të madh të borxheve. Statistikat e fundit të Bankës Popullore të Maqedonisë...

Maqedonia po përballet me një shumë relativisht të madh të borxheve. Statistikat e fundit të Bankës Popullore të Maqedonisë tregojnë se borxhi i vendit për dallim nga viti i kaluar është rritur sivjet për 230 milionë euro.
Profesori i ekonomisë, Nehat Ramadani, vlerëson se shqetësues është fakti që borxhi qeveritar i Maqedonisë ka trend rritës, ndërsa ai thekson se duhet analizuar kushtet dhe se për çfarë qëllimi merret borxhi, pasi që Maqedonia po shfrytëzon borxhet për të mbuluar harxhimet për projekte jopërfituese.
“Në rastin e Maqedonisë, trendet e borxhit shënojnë rritje nga 23% që ishte në vitin 2009, në 46% të GDP-së sa është tani. Ky indikator nuk është edhe shumë inkurajues. Një aspekt tjetër ka të bëjë me atë se për çfarë qëllimi shfrytëzohet borxhi që merret dhe kryesisht në rastin tonë borxhi ka për qëllim mbulimin e deficitit buxhetor apo edhe shpenzime të tjera qeveritare në projekte që njihen në opinion si joproduktive. Duke marrë parasysh faktorët e mësipërm, mund të thuhet se borxhi qeveritar i Maqedonisë është deri diku shqetësues”- deklaroi profesori i ekonomisë, Nehat Ramadani.
Profesori Ramadani vlerëson se me gjithë këtë rritje të borxhit Maqedonia nuk është në situatë të njëjtë si Greqia për shembull, megjithëse duke u krahasuar me vende të rajonit me të njëjtën fuqi ekonomike. Situata me borxhin, edhe pse nuk mund të quhet situatë krize, gjithsesi është alarmante. Sipas tij, qeveria duhet të bëjë më shumë investime në projekte ekonomike që përmirësojnë gjendjen ekonomike, e jo në projekte nga të cilat nuk ka dobi.
“Bosnja ka diku 28% borxh publik, aq sa ka edhe Bullgaria. Në qoftë se krahasohemi me këto shtete, atëherë ne natyrisht jemi në nivel alarmant të borxhit publik. Një shpëtim mund të kërkohet përmes uljes së shpenzimeve joproduktive qeveritare dhe koncentrim të investimeve kryesisht në projekte ekonomike, duke u fokusuar më tepër në rritjen e punësimit të popullatës, rritjen e ndërmarrësisë, rritjen e konkurrencës, shtimin e eksportit, bilancit tregtar etj”- tha profesori i ekonomisë, Nehat Ramadani.
Statistikat e fundit tregojnë se vendi po përballet me borxhe të brendshme në shumë të 6.1 miliardë eurove. Borxh më të madh ka shteti i Maqedonisë me 2 miliard euro, pastaj firmat, kompanitë e sigurimeve,amvisëritë të cilat kanë borxh prej 1.9 miliard euro dhe më pas vijnë bankat Komerciale dhe vetë Banka Popullore e Maqedonisë.
ERSAN PAJAZITI
