Maqedoni

Shkollat ende nuk i kanë të gjithë librat, arsimtarët: Programi i Kembrixhit, i vështirë

02.09.2015 17:02

Në ditën e dytë të shkollës, shkollat ende nuk janë të pajisura me të gjitha librat e nevojshëm për vijimin e procesit mësimor...

Furnizimi vazhdon  edhe gjatë javëve të ardhshme. Në kohë janë dorëzuar vetëm librat sipas programit të Kembrixhit, ndërkohë që mungojnë tekstet e reja që do të duhet të zëvendësojnë librat e dëmtuar.
 
“Shkenca natyrore dhe matematika, që janë sipas Kembrixhit, janë librat që i kemi, libra tjerë prej klasës së shtatë dhe deri të nëntën nuk kemi të rinj. Librat e dëmtuar nuk janë të gjithë të zëvendësuar, por ne nëse në fund të vitit kërkojmë libra për nxënësit, diçka na sjellin diçka jo, por deri tani nuk kemi qenë të furnizuar me numrin që e kemi kërkuar”- deklaroi drejtoresha e Sh.  F. “Imri Elezi”, Merita Koxhaxhiku.
 
Ndërkohë, arsimtarët kanë ndjekur trajnime për realizimin e programit të Kembrixhit, për të cilin thonë se është i vështirë dhe janë skeptikë për sa i përket realizimit të tij.
 
“Ne si arsimtarë do të japim maksimumin edhe për nxënësit besoj se do të jetë i kapshëm dhe i realizueshëm materiali, se sa do të realizohet është pikëpyetje, sepse është i vështirë”- tha një arsimtare.
 
Nxënësit thonë se ende nuk janë pajisur me të gjithë librat, megjithëse pritet që nxënësve të gjithë librat t’u shpërndahen deri në fund të javës.
 
“Ka libra të grisur, mungojnë disa libra, por disa libra janë të rinj”- tha një nxënës.
 
“Kemi disa libra të mirë, do vijnë të tjera, por jo të grisur, dhe shpresojmë se do kemi nota të mira”- u shpreh një nxënëse.
 
Ndërkohë, sipas MASh-it, gabimet në librat shkollorë do mbesin edhe sivjet, sepse paraprakisht duhet të ndryshohet ligji, që të ketë mundësi të intervenohet dhe të ndryshohen përmbajtjet problematike.
 
FLUTURA LATIFI