Maqedoni

Kthimi i opozitës, trupat punues vazhdojnë punën pa opozitën

02.09.2015 17:55

Deputetët e opozitës maqedonase, menjëherë pas kthimit në Kuvend, kanë tërhequr parashtresat për dorëheqje...

Mirëpo, edhe pse një ditë më parë u kthyen në Kuvend, deputetët nuk mund të marrin pjesë nëpër trupat punuese parlamentare, pasi në mungesë të tyre shumica parlamentare ka zgjedhur kryetarë, zëvendësa dhe anëtarë nga radhët e veta.
 
Sapo opozita të propozojë kandidatët e saj për në komisione dhe trupa të tjerë parlamentare, Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve duhet të shqyrtojë propozimet dhe t’ia propozojë Kuvendit në seancë plenare për votim. 
 
Burime nga Kuvendi thonë se kryeparlamentari ka gatishmëri që të caktojë seancë të posaçme menjëherë pasi opozita të ketë dhënë propozimet e veta për vendet e rezervuara për opozitën në trupat punues të Parlamentit.
 
Shkaku i këtij vakuumi, deputetët e opozitës as sot nuk morën pjesë në seancën e Këshillit Nacional për Eurointegrime, me të cilin duhet të kryesojë opozita.
 
Opozita u paraqit vetëm në takimin me sekretarin shtetëror për çështje evropiane të Francës, Arlem Dezir, dhe në shënimin e bashkëpunimit të Kuvendit me Fondacionin “Vestminster” për Demokraci, që u mbajt ditën e hënë.    
 
Aktualisht deputetët e opozitës mund të marrin pjesë vetëm në seanca plenare, pasi mandati i tyre është i verifikuar që në seancën e parë të kësaj legjislature.
 
Edhe pse kthimi i opozitës ishte i paralajmëruar shumë më herët, kryeparlamentari, Trajko Veljanovski, ende nuk ka caktuar ndonjë seancë plenare për këtë javë, ku do të merrte pjesë edhe opozita maqedonase.
 
SHPËTIM NUREDINI