Maqedoni
Deziri për marrëveshjen politike: Respektoni afatet, sidomos për prokurorin special; Besimi për marrëveshjen politike: Marrëveshja, kyçe për të ardhmen tonë evropiane
02.09.2015 18:02
Marrëveshja politike të jetësohet në tërësi! Ishte kjo porosia e qartë e Arlem Dezir, sekretarit shtetëror për çështje evropiane të Francës, gjatë vizitës së tij në Shkup...

Dezir, pas takimit me zëvendëskryeministrin për çështje evropiane, Fatmir Besimin, tha se respektimi i Marrëveshjes së Përzhinos është për të mirën e vendit, Ballkanit Perëndimor, por edhe Evropës.
Respektimi i afateve të dhëna në realizimin e marrëveshjes politike, sipas Dezir, do të kthente vendin në rrugën euroatlantike, për të cilën Franca i jep mbështetje të parezervë Maqedonisë.
“Partitë politike do të duhet të zbatojnë të gjitha obligimet e marrëveshjes politike, obligime të cilat janë shumë të qarta, e në veçanti emërtimi i prokurorit special, i cili duhet të jetë i pavarur, që do të merret me përgjimet. Afati për emërimin e tij deri më 15 shtator do të duhet të respektohet. Kalimi në qeveri transitore deri në mbajtjen e zgjedhjeve është e një rëndësie të veçantë, si dhe vazhdimi i reformave siç kërkohet në raportet e Komisionit Evropian dhe të Pribesë. Të gjitha këto obligime do të duhet të respektohen në afatet e dhëna”- deklaroi sekretari shtetëror për çështje evropiane të Francës, Arlem Dezir.
Zbatimi i Marrëveshjes së dy qershorit, sipas zëvendëskryeministrit Besimi është kyçe për të ardhmen evropiane të Maqedonisë.
“Sa i përket Marrëveshjes së 2 qershorit, është e qartë se çfarë duhet të bëhet, të zbatohet gjithçka që është dakorduar. Sa i përket marrëveshjes dhe reformave që priten nga Maqedonia, duhet zbatimi i plotë i rekomandimeve dhe obligimeve të Marrëveshjes së 2 qershorit, sepse vetëm në këtë mënyrë Maqedonia do të jepte sinjal të qartë se është kandidat serioz për anëtarësim në BE”- tha zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Fatmir Besimi.
Porositë për jetësimin e Marrëveshjes së Përzhinos sekretari francez ua përcolli edhe deputetëve në Komisionin për Çështje Evropiane.
“Presim që, sikurse dje që Komisioni Evropian përshëndeti kthimin e opozitës në Kuvend, edhe Franca të dalë dhe ta thotë zhgënjimin e saj për vendimin e djeshëm të gjykatës”- theksoi deputetja e LSDM-së, Lidija Dimova.
“Kërkesa jonë do të ishte që të mundësohej një proces paralel edhe i zgjidhjes së kontestit të emrit me Greqinë, por edhe në të njëjtën kohë të mund që të hapen bisedimet me BE-në”- u shpreh deputetja e BDI-së, Nora Haliti.
Dezir është takuar gjatë ditës edhe me kreun e BDI-së, Ali Ahmetin, ministrin e Jashtëm, NIkolla Popovskin, si dhe me politikanë të tjerë të lartë në vend.
MERAL ISMAILI
