Botë

Apeli i 13-vjeçarit sirian: Ndaloni luftën dhe nuk do të vijmë në BE

03.09.2015 14:17

Një 13 vjeçar ua ka shpjeguar thjesht politikanëve më të mëdhenj të botës se si ndalet eksodi i refugjatëve drejt Evropës...

 “Ndaloni luftën dhe sirianët nuk do të vijnë më”- ka thënë 13-vjeçari nga Siria.
 
Edhe videoja e tij, sikurse fotoja e të miturit të mbytur, po bën xhiron e botës.
 
“Sirianët kanë nevojë për ndihmë, kanë nevojë për ndihmë tani. Sirianët nuk u pëlqejnë policëve në Serbi, Hungari, Maqedoni apo Greqi.
 
Por ju lutem, ndihmojini ata! Ndalojeni luftën dhe ne nuk do të vijmë në Evropë, nuk duam të vijmë në Evropë”- deklaroi emigranti sirian 13-vjeçar. 
 
Autoritetet në Hungari, ndërkohë, kanë hapur mëngjesin e së enjtes stacionin hekurudhor të Budapestit, ku ndodhen të vendosur qindra emigrantë, të cilët kanë vërshuar për të mbushur vagonët.
 
Rihapja e stacionit vjen pas dy ditë protesta të refugjatëve nga Siria e Iraku, të cilët u përballën edhe me forcat e policisë.
 
Megjithatë, autoritetet kanë njoftuar se trenat e linjave ndërkombëtare për në vendet e Evropës Perëndimore do të mbeten të pezulluar për një kohë të pacaktuar.
 
Në stacionin hekurudhor të Keletit në Budapest ndodhen rreth 2 mijë persona të cilët kanë blerë bileta për të udhëtuar më tej, por që janë detyruar të ngrenë çadra.
 
Qindra prej tyre manifestuan pakënaqësinë duke bërtitur “liri, liri” dhe duke valëvitur biletat e trenit, duke thënë se kishin paguar qindra euro për të udhëtuar.
 
VALIDE LIMANI