Botë
Tragjedia e emigrantëve, imazhe tronditëse për të zgjuar politikanët
03.09.2015 14:34
Disa imazhe tregojnë tragjedinë e emigrantëve më shumë se një mijë fjalë...

Ndërsa debati në nivel evropian vijon ngadalë, numri i personave që vazhdojnë të largohen, sidomos nga Siria, nuk ndalet.
Nuk ndalet as numri i të vdekurve të cilët humbin jetën në tentativën për të hyrë në vendet e Bashkimit Evropian me çdo mjet.
Fotoja e një fëmije i shtrirë pa jetë në një plazh të Bodrumit në Turqi tregon dramën e pandalshme të cilës liderët evropianë deri sot i janë përgjigjur me fjalë të pakuptimta.
Zyrtarët turq informuan se 12 persona gjetën vdekjen pasi dy varka me 23 emigrantë në total u përmbys në gadishullin e Bodrumit. Mes të vdekurve ishin 5 fëmijë dhe një grua.
7 të tjerë shpëtuan, ndërsa dy të tjerë arritën në breg me jelek shpëtimi.
Ishulli Kos në Greqi, i vendosur në pjesën juglindore të detit Egje dhe që gjendet në një distancë të shkurtër me brigjet e Turqisë, është kthyer në një pikë shpëtimi për mijëra emigrantë sirianë që duan të arrijnë në BE. Më shumë se 2500 refugjatë zbarkuan në ishullin Lesbos të mërkurën.
Ndërsa 15 mijë të tjerë presin të shkojnë në Athinë me tragete, më pas të vijojnë rrugëtimin drejt Maqedonisë, Serbisë, Hungarisë dhe Gjermanisë.
Mediat ndërkombëtare si “The Indipendent”, “The Guardian”, “Huffington Post” kanë vendosur të publikojnë imazhet, ndonëse të rënda, sepse fjalët nuk mjaftojnë për të treguar realitetin dramatik në të cilën po përballen emigrantët nga Siria.
Nëse foto të tilla tronditëse si e këtij fëmije sirian i gjetur i vdekur në breg të detit nuk ndryshon qëndrimin e Evropës për refugjatët, atëherë çfarë duhet? Imazhet e fëmijëve emigrantë mbytur në brigjet e Mesdheut po shpërndahen fuqishëm edhe në rrjetet sociale.
Janë imazhe të publikuara e shpërndara me qëllimin fisnik të sensibilizimit të opinionit publik e të koshiencës së gjithsecilit mbi këtë tragjedi të madhe humane.
Imazhe të forta denoncojnë fatin tragjik të atyre krijesave të pafajshme që prindërit u dëshirojnë një jetë më të mirë e mbushin anije e gomone për t’ju larguar realiteteve të paimagjinueshme në vendet e tyre si Siri, Sudan, Somali, Mali, Afrika Qendrore, Eritrea, Etiopia, Afganistan.
Në Facebook e Twitter shumë i janë bashkuar kësaj forme protestë-denoncimi ndaj viktimave të emigrantëve në Mesdhe.
Por, ka dhe nga ata që mendojnë se vdekja meriton dinjitet, e këto imazhe janë shumë të forta e prekëse për t’u përballuar.
MIGENA GORENCA
