Botë

Rruga e Kombit, Haxhinasto: Fituesi më 15 tetor, 5 euro kalimi

03.09.2015 14:49

Edhe pse kur u ndërtua u tha se për Rrugën e Kombit nuk do të ketë taksë, duket se ky aks rrugor do të jetë e vetmja rrugë në Shqipëri për të cilën do të paguhet taksë...

Ministri i Transporteve i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, shpalli datën kur do të aplikohet taksa prej 5 eurosh për rrugën Durrës–Kukës.
 
Ai tha se janë mbyllur procedurat, çmimi është vendosur dhe çështja është drejt finalizimit. 
 
“Llogaritja është bërë për një tarifë 5 euro, duke përfshirë dhe TVSh-në, tarifë e cila është më e ulët sesa mesatarja rajonale. Koncesioni do të jetë për një periudhë 35 vjeçare”- deklaroi ministri i Transportit i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto.
 
Rruga nuk ka destinacion turistik dhe as biznesi të përqendruar, por është segment jetësor komunikimi midis Shqipërisë e Kosovës dhe midis kryeqytetit dhe periferisë së varfër.
 
Vetëm sivjet, Ministria shqiptare e Turizmit shpalli arritje të rëndësishme faktin se më shumë se 1 milion shqiptarë të Kosovës erdhën për pushime në Shqipëri.
 
Nuk dihet nëse do të vazhdojë ky fluks edhe vitin tjetër, tani që është çështje e kryer vendosja e taksës prej 5 eurosh për lëvizjen e tyre të ardhshme drejt Durrësit apo rivierës shqiptare. 
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI