Maqedoni

Çarls Garet: Migrimi ilegal, sfidë për gjithë Evropën

03.09.2015 16:02

Migrimi ilegal, aktualisht paraqet një nga çështjet dhe prioritetet kyçe me të cilat ballafaqohet gjithë kontinenti i Evropës...

Ky është problem ndërkombëtar i cili ka shumë sfida të cilat nuk qarkullojnë në asnjë vend në Evropë, duke përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor dhe Maqedoninë.
 
Kështu vlerësoi ambasadori britanik  në Shkup, Çarls Garet, gjatë prezantimit të projektit "Avancim të procedurave për konfirmim të identitetit të emigrantëve", që e realizon Iniciativa Rajonale për Migrim, Azil dhe Refugjatë, MARRI, me mbështetje të Ambasadës britanike.
 
“Duke pasur parasysh atë se migrimi ilegal kërkon qasje rajonale, më vjen shumë mirë që përmes MARRI-t mund t'i japim mbështetje këtij projekti i cili do të mundësojë krijim të data-bazës së përbashkët për vendet e rajonit për përkthyes dhe interpretues të cilët i flasin gjuhët e rralla, të cilët shpesh i shfrytëzojnë emigrantët të cilët vijnë. Kjo do të ndihmojë edhe në përforcimin e kapaciteteve të institucioneve kombëtare gjatë ballafaqimit me këtë problem"- deklaroi ambasadori i Britanisë në Shkup, Çarls Garet.
 
Askush nga ne individualisht nuk mund të ballafaqohet me këtë çështje, por kolektivisht mund të bëjmë shumë, shtoi ambasadori Garet. Ballafaqimi më efikas me migracionin në gjithë rajonin kërkon komunikim adekuat, vlerësojnë edhe nga Iniciativa Rajonale për Migrim, Azil dhe Refugjatë, MARRI.
 
“Përshpejtimi i procedurave për identifikim të emigrantëve do t'i përshpejtojë edhe procedurat për marrje të vendimeve kur bëhet fjalë për kërkuesit e azilit. Kjo bazë e të dhënave do të kontribuojë edhe për përforcim të kapaciteteve të rrjetit për bashkëpunim dhe pranim të emigrantëve ilegalë”- tha Tamara Mugosha nga MARRI.
 
Projekti "Avancim i procedurave për konfirmim të identitetit të emigrantëve" do të realizohet deri nga mesi i vitit të ardhshëm, ndërsa është paralajmëruar vendosje e bazës rajonale e të dhënave për përkthyes të cilët i flasin gjuhët e rralla, të cilat i shfrytëzojnë emigrantët. 
 
GYLTENE SINANI