Botë
Prishtinë, Mustafa: Mos krijoni frikë nga Asociacioni
03.09.2015 16:38
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të trajtohet vetëm si formë e integrimit të pakicave, sidomos asaj serbe, në institucionet e shtetit...

Mustafa ka thënë se nuk duhet krijuar “frikë e tmerr” nga ky Asociacion, sepse ai do të funksionojë në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
Në një postim në Facebook, Mustafa ka kujtuar se që 16 vjet nga përfundimi i luftës, Kosova nuk ka arritur të ushtrojë sovranitetin e saj në veri të lumit Ibër.
Por, sipas tij, përmes dialogut është arritur që "doganierët e Kosovës të vendosen në pikat kufitare në veri, që policia e Kosovës të veprojë në tërë territorin, që të shpërbëhet Mbrojtja Civile, që të ushtrohet sistemi i drejtësisë në tërë territorin, që Kosova të ketë kodin e vet telefonik, të ketë kufijtë e vet energjetikë, por po ashtu ta ketë edhe Asociacionin si një formë e organizimit të komunave me shumicë serbe”.
Lëvizja “Vetëvendosje” dhe partitë tjera opozitare në Kosovë shprehen kundër këtij Asociacioni, duke thënë se ai mund të çojë në federalizimin e Kosovës.
Për formimin e këtij Asociacioni, Kosova ka nënshkruar marrëveshje me Serbinë në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve.
