Maqedoni
Prokurori special, Kallajxhiev: Nevojitet kohë për ekip special
03.09.2015 17:03
Afati kohor prej 13 ditëve deri në zgjedhjen e prokurorit special, ashtu siç parasheh Marrëveshja e Përzhinos...

Afati kohor prej 13 ditëve deri në zgjedhjen e prokurorit special, ashtu siç parasheh Marrëveshja e Përzhinos, nuk është i mjaftueshëm për zgjedhjen e kandidatëve dhe formimin e ekipeve të punës të cilët do të shqyrtonin në mënyrë të pavarur përgjimet e publikuara nga opozita, vlerëson profesori universitar, Gordan Kallajxhiev.
Sipas tij, prokurori special që do të zgjidhet nuk duhet të pranojë këtë pozitë brenda ditës, pa u plotësuar kushtet dhe organizimi i nevojshëm për punë, pa të cilat ai nuk do të ishte i suksesshëm.
Formimi i ekipeve speciale, sipas Kallajxhiev, është i domosdoshëm, pasi që në këtë rast nuk mund të pritet bashkëpunim me organet shtetërore, ndërsa në këtë drejtim do të ndihmonte vetëm përkrahja e ndërkombëtarëve.
“Ekipi është faktor kyç, sepse ai nuk mund të pret bashkëpunim të mirë me organet shtetërore të cilat janë të nënshtruara nga elita politike, kështu që efikasiteti i tij në punë do të varet nga ekipi i tij, buxheti dhe kushtet për punë. Negociatat për ligjin sipas vlerësimit tim janë më pak të rëndësishme, më kritike do të jetë kjo e dyta, që të ketë ekip të mirë dhe të ketë kushte për njerëzit që do të kyçen, që nuk është aq e thjeshtë, nuk mundeni ju që për një natë të siguroni 20-30 njerëz që të lënë vendet e punës dhe të kalojnë në prokurori, kjo nuk shkon kështu. Kjo do të thotë se prokurori special do të përballet me shumë pengesa, por nëse formon ekip të mirë dhe ka përkrahje ndërkombëtare do të ketë rezultat”- deklaroi profesori universitar, Gordan Kallajxhiev.
Sipas Kallajxhiev, pengesat për funksionimin e prokurorit janë evidente dhe këtu nuk ka gjasa reale të mendohet se do të formohet gjykatë special, pasi që të njëjtën nuk e parasheh Marrëveshja e Përzhinos.
Sipas kësaj marrëveshje, afati përfundimtar për zgjedhjen e prokurorit special për të cilin edhe ndërkombëtarët insistojnë që të respektohet është 15 shtatori.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
