Maqedoni
Vendi në fazën e portokalltë të temperaturës, nga e hëna pritet freskim i motit
03.09.2015 17:57
Vendi ynë sot dhe nesër gjendet në fazën e portokalltë, që i përket nivelit të dytë të rrezikshmërisë sa i përket temperaturave të larta...

Këto temperatura janë të pazakonta për muajin shtator, thonë mjekët të cilët u rekomandojnë fëmijëve dhe të sëmurëve kronik që të mos u ekspozohen rrezeve të diellit.
Problem shtesë për këtë periudhë është edhe lagështia e ajrit dhe rrezet ultraviolete, që ndikojnë në veçanti tek pacientët me sëmundje kronike.
“Prej rrezeve UV rreziku është se ndikojnë në sistemin e lëkurës, tek të pamurit dhe në organet e tretjes kemi alergji nga temperaturat e larta dhe mund të preket sistemi gastrointestinal. Lagështia e ajrit ndikon te pacientët me sëmundje respiratorë, te alergjitë kronike, ata duhet të kenë kujdes që të mos dalin gjatë ditës, por vetëm në mëngjes ose pas orës pesë të ditës”- deklaroi mjekja, Sofjane Bellcishta.
Në rast të goditjes nga dielli dhe alivanosjes duhet të reagojmë në kohë, duke parandaluar përkeqësimin e gjendjes e cila mund të jetë me pasoja fatale.
“Për ndihmën e parë duhet pacientin ta largojmë nga temperatura e lartë dhe ta kthejmë anash dhe të presim ndihmën e shpejtë”- theksoi mjekja, Sofjane Bellcishta.
Ndërkohë, meteorologët paralajmërojnë se deri në fund të javës do të ketë mot të nxehtë dhe me diell, ndërsa nga e hëna pritet rënie të temperaturave.
“Nesër dhe gjatë ditëve të ardhshme do të vazhdojnë temperaturat e larta. Të shtunën do të jetë dita më e nxehtë për këtë periudhë. Do të kemi ndryshim të kohës me vranësira në pjesët perëndimore të vendit kah fundi i ditës, ndërsa të dielën do të kemi kohë të ndryshueshme me vranësira dhe me kushte për reshje të shiut. Nga e hëna koha do të freskohet për minus gjashtë celsius dhe do të kemi reshje të përkohshme të shiut”- theksoi sinoptikani, Boris Sekiraraski.
Temperaturat gjatë këtyre ditëve do arrijnë deri më 37 gradë celsius, andaj duhet zbatuar rekomandimet e mjekëve për të parandaluar rreziqet shëndetësore si pasojë e ndryshimit të temperaturës.
FLUTURA LATIFI
