Maqedoni

Reçicë e Madhe, nxënësit bëhen me sallë të re sportive

03.09.2015 18:14

700 nxënës të Shkollës Fillore “Përparimi” në Reçicë të Madhe tashmë kanë edhe sallën sportive të tyre...

E njëjta është inauguruar sot në mënyrë solemne në praninë e funksionarëve të lartë të Bashkimit Demokratik për Integrim, përfshirë edhe vetë liderin, Ali Ahmeti.
 
Salla sportive në këtë fshat, sipas ministrit të Arimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademit, është në vazhdën e realizimit të shumë projekteve që kanë të bëjnë me përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe studentët.
 
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, theksoi se është nderë të punohet për gjeneratat e reja dhe të lihen gjurmë që kanë vlera. 
 
“Njeriu nuk duhet falënderuar që punon në tokën e vet, në arën e vet, por duhet t’i thuhet punë e mbarë edhe më tutje ai të punojë, sepse bënë punë të dobishme për familjen, bënë punë të dobishme për komunitetin, po pse them për komitetin, se nuk do të preferohet të shkojë të ia marrë nga hamari bukën e komshiut, por prodhon bukën e vet. Mua më ka rastisur në jetë dhe të më përplasin dallgët nëpër shkrepa të ndryshëm të brigjeve, ka edhe nga ata njerëz që duan t’i falënderojmë pse punojnë në tokën e vet, në arën e vet, por unë ju siguroj nga përvoja ime jetësore se ata janë grurë që e mbajnë kokën përpjetë dhe pa bukë brenda. Njerëz të cilët kanë përkushtim për jetën dhe të lënë gjurmë pas, kokën e mbajnë të ulur, sepse gjurmët janë ato që vlerësohen se a bën mirë për komunitetin dhe si e bënë atë”- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
“Salla e re shkollore me dimensione 1800 m2, i siguron kushtet e nevojshme për të gjitha sportet dhe klubet sportive, si: henboll, basketboll, futboll i vogël dhe volejboll, ku gjithashtu me pajisjet e sallës me rekuizitat sportive do të mundësohet dhe realizimi i të gjitha ushtrimeve gjimnastikore, në këtë mënyrë lejohen kushte për sport i rreth 700 nxënësve të kësaj shkolle. Salla disponon me tribunë me kapacitet rreth 400 ulëse, kurse si pjesë e infrastrukturës kemi edhe gardërobat, tush-kabinat, tualetet dhe hapësirat për akomodimin e rekuizitave sportive, si dhe hapësira të veçanta për mësimdhënësit nga lënda sport dhe aktivitete sportive”- tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi. 
 
“Të bësh një aktivitet me një shkollë që mban emrin “Përparimi” nuk është gjë e vogël. Përparimi, zhvillimi, arsimi, ngritja jonë kolektive ka qenë orientim dhe ëndërr e të gjithë banorëve të këtij vendi, po pse jo edhe e të gjithë tetovarëve. Prandaj edhe çdo aktivitet i cili bëhet në shkollë ka për qëllim ngritjen tonë të përgjithshme dhe qëllimin për të arritur nivele më të larta”- theksoi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
 
Ministri në këtë rast paralajmëroi se do të ndërtohen edhe shumë salla të tjera sportive, si në anën lindore ashtu edhe perëndimore të Republikës së Maqedonisë.
 
VISAR SADIKI