Botë

Turqi, babai i Ajlan do të kthehet në Siri, pas tragjedisë ai refuzon nënshtetësinë kanadeze

04.09.2015 13:14

I shkatërruar nga tragjedia që i ka ndodhur, babai i dy të miturve, Aylan dhe Galip, 3 dhe 5 vjeç, ka shpërthyer në lot pasi doli nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Bodrum të Turqisë...

“Djemtë e mi ishin të mrekullueshëm, ashtu si çdo fëmijë për prindërit e tyre. Ata më zgjonin çdo mëngjes e më kërkonin të luaja me ta, tani çdo gjë ka marrë fund”- tha Abdullah Kurdi për gazetarët.
 
Ai ka rrëfyer udhëtimin e vdekjes për familjen e tij.
 
“Mbaj mend që në barkën e vogël ishim 13 persona, lundruam përreth 5 minuta dhe më pas një dallgë na goditi dhe personi që drejtonte u hodh në det dhe u largua, ne mbetëm në mes të detit dhe unë u përpoqa të marr drejtimin e mjetit lundrues, por një tjetër dallgë na goditi, barka u përmbys dhe unë humba dy djemtë dhe gruan”- deklaroi babai i të miturve të mbytur në Turqi, Abdulla Kurdi.
 
Në polici, Abdullah Kurdi ka deklaruar se ka paguar dy herë kontrabandistët për të marrë atë dhe familjen nga Turqia drejt Greqisë, por ishte mashtruar, ndaj u detyrua të udhëtonte me atë mjet të vogël lundrues.
 
Trupat e dy të miturve dhe nënës së tyre 35 vjeçe janë përcjellë drejt Stambollit për t’u dërguar më pas në kufirin sirian.
 
Pas tragjedisë, autoritetet kanadeze i kanë ofruar nënshtetësinë për t’u bashkuar me motrën e tij, por babai i dy vogëlushëve e ka refuzuar, duke thënë se e vetmja gjë që do të bëjë është vetëm të qajë pranë varrit të tyre dhe gruas së tij.
 
Kobani, qyteti ku jetonte kjo familje fatkeqe, ka qenë skenë e luftimeve të ashpra muajt e fundit, ndërsa mijëra sirianë kanë lënë vendin e tyre.
 
GYLTENE SINANI