Maqedoni
Kuvendi sot mban dy seanca
04.09.2015 13:29
Kuvendi i Maqedonisë sot do të mbajë dy seanca, në të cilat, mes të tjerash, do të votohet për propozimin që Renata Treneska-Deskoska të jetë nënkryetare nga radhët e LSDM-së...

Deputetët do të votojnë edhe për plotësimin e vendeve të zbrazëta në komisionet dhe trupat kuvendor.
Deputeti, Goran Misevski, do të jetë kryetar i Komisionit për Mbikëqyrje mbi zbatimin e masës së veçantë hulumtuese për përcjellje të komunikimeve nga ana e MPB-së, Drejtorisë për Polici Financiare, Drejtorisë Doganore dhe Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa Hari Lonkvenec i Komisionit për Mbikëqyrje mbi punën e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim dhe i Agjencisë për Zbulim.
Kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanoski, për sot e ka caktuar edhe vazhdimin e seancës së katërt, në të cilën duhet të konstatohet njoftimi për tërheqjen e dorëheqjeve të deputetëve opozitarë. Sipas marrëveshjes nga Përzhino, deputetët opozitarë janë kyçur në punën e Parlamentit më 1 shtator.
