Refugjatët, Juncker kërkon të shtohen kuotat e pranimit në BE
Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, do t’i propozojë një masë të rëndësishme bllokut nga Strasburgu...

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, do t’i propozojë një masë të rëndësishme bllokut nga Strasburgu, duke u kërkuar vendeve të Bashkimit Evropian të rrisin kuotat e strehimit të refugjatëve.
Nga 40 mijë kuota, që ishte rënë dakord nga krerët në muajin korrik, Juncker tashmë u kërkon udhëheqësve të shteteve që të strehojnë 160 mijë refugjatë.
Propozimi i ri konsiston edhe në nevojën e shpërndarjes së emigrantëve, që kanë zbarkuar kryesisht në Itali, Greqi, Ballkanin Perëndimor dhe në Hungari.
Sistemi i ri i kuotave do të përfshijë gjithashtu edhe vendet të cilat më herët e kanë refuzuar pranimin e azilantëve.
Ndër to, përmendet Hungaria, disa vende të Evropës Lindore, si dhe Britania e Madhe.
Pakoja “Juncker” duket se u pret rrugët edhe qytetarëve që vijnë nga vendet kandidate për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Ajo përfshin rregulla të reja, ndër të cilat theksohet se shtetasit e këtyre vendeve nuk mund të pretendojnë azil politik pasi-sipas Juncker,- kjo është kërkesë e pabazë.
Udhëheqësit e BE-së i patën refuzuar më parë kërkesat e Komisionit Evropian për kuota të detyrueshme të strehimit të refugjatëve.
Por, fluksi i panumërt i muajve të fundit i ka detyruar ata të rishikojnë qëndrimet e tyre.
Nga ana tjetër, edhe presidenti i Këshillit të Evropës, Donald Tusk, i cili kërkon një qasje më të unifikuar të bllokut, u shpreh se një shpërndarje e drejtë e refugjatëve do të ndihmonte këdo.
REXHEPI QAMILI
