Maqedoni
Raporti i FMN-së: Mosrespektimi i marrëveshjes ndikon negativisht
04.09.2015 14:38
Mospërmbushja e marrëveshjes politike e 2 qershorit mund të ketë ndikim negativ në zhvillimin ekonomik dhe në ekonominë e vendit në përgjithësi...

Mosrealizimi i marrëveshjes mund ta komplikojë edhe procesin integrues të vendit drejt BE-së dhe NATO-s, paralajmërojnë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Por, gjithsesi, FMN potencon në raport se vitin e kaluar Maqedonia ka pasur rritje më të lartë në rajon me shkallë prej 3,8 për qind rritje të BPV-së.
Ndërsa këtë vit ka pasur rritje prej 3,2 për qind, që është afër rritjes së projektuar nga ana e Qeverisë.
Por, edhe pse Maqedonia është një nga vendet me borxhe më të vogla në Evropë, me 43.7% borxh publik, shqetësues është fakti se borxhi i Maqedonisë ka trend rritës prej vitin 2008, ku atëherë Maqedonia kishte borxh vetëm 20.60%.
Sipas FMN-së, prioritet kryesor për qeverinë e Maqedonisë mbetet ruajtja e stabilitetit makroekonomik dhe financiar, por shton se rritja e pagave do të thellojë deficitin buxhetor për 4%.
Sipas FMN-së, mënyra e vetme për zvogëlimin e papunësisë është përmes hyrjes së investimeve të huaja.
Investimet e drejtpërdrejta të huaja do të ndikojnë për hapjen e mbi 30.000 vendeve të reja të punës në Maqedoni në 2-3 vitet e ardhshme, thuhet në raportin e fundit të FMN-së.
FMN vlerëson se sistemi tatimor i Maqedonisë dhe klima e mirë e biznesit bashkë me investimet e nevojshme në infrastrukturë ndikojnë në tërheqjen e investimeve të drejtpërdrejta nga sipërmarrësit e huaj.
Strategjia e tillë për zhvillim veç më jep rezultate, konstatojnë nga FMN-ja dhe potencojnë se Maqedonia ka rritje më të madhe ekonomike në rajon, thuhet në vlerësimin e FMN-së.
ERSAN PAJAZITI
