Maqedoni

Bulevardi “Cvetan Dimov”, zgjerohet mbikalimi tek Sh. F. “Liria”

04.09.2015 15:49

Që nga 18 prilli i këtij viti kanë filluar punimet për zgjerimin e rrugës “Cvetan Dimov”, e cila lidh Çairin me qendrën dhe komunën e Butelit...

Një pjesë e projektit tashmë ka përfunduar, ajo e dislokimit të infrastrukturës nëntokësore, kabllove të EVN-së dhe gypave të ujësjellësit atmosferik. Ajo që përbënte problem deri në këtë moment ishte mbikalimi metalik pranë Shkollës Fillore “Liria”.
 
Ura metalike nuk do të hiqet, por do të zgjerohet për të qenë kompaktibile me zgjerimin e ri të rrugës. 
 
“Ura nuk hiqet, vetëm vazhdohet 3-4 metra. Problem deri sa të dalë mbi tokë se këmbët e urës duhet mbushur me beton, pastaj duhet të ngjiten shkallët e reja”- tha një punëtor.
 
Por, qytetarët habiten se përse ura nuk hiqet fare, sipas atyre ajo asnjëherë nuk është shfrytëzuar, pasi edhe nxënësit edhe këmbësorët e tjerë më mirë kalojnë në rrugën e mbushur plot makina, sesa të hipin shkallët e urës. Ata kërkojnë të vendosen vijat e bardha në këtë pjesë të rrugës. 
 
A mendoni që është shfrytëzuar kjo urë mjaftueshëm për këmbësorët? 
 
“Jo s’mundet me u shfrytëzuar asnjëherë, unë këtë askund se kam parë, kam ecur në të gjithë Evropën, urë për këmbësorë s’ka, kur ka kështu për të ecur rrafsh jo askund s’kam pa. Ai që ka makinë i ka të gjitha të mirat, a ne duhet të mundohemi. Ai duhet të ndalet te vijat e bardha, të ketë shenja komunikacioni”- deklaroi një qytetar.
 
Çka mendon a më mirë përmbi urë me kaluar rrugën?
 
“Po, me dije që më mirë është se veturat këtu të shkelin, edhe ne që s’mundemi, mundet kollaj me të mbyt, për ata që munden më mirë është, po për pleqtë pak më rënd”- theksoi një qytetar.
 
“Për fëmijët është më mirë që hipin këtu se shkojnë në shkollë, me urë është më mirë se pa urë, bela për fëmijët”- u shpreh një qytetar.
 
”Më mirë ka qenë të hiqet fare, me bë një zgjidhje tjetër. Për fëmijët është në  dëm, ura mirë është këtu, më mirë me urë, por askush nuk hipë, kot e kanë vënë”- potencoi një qytetar. 
 
‘Po, ndonjëherë e kemi kaluar urën, çdo herë jo. Ndoshta fëmijëve ju pengon, se më të rriturit munden ta kalojnë kështu”- theksoi një nxënës.
 
Mbikalimi përballë Shkollës Fillore “Liria” u vendos me kërkesë të prindërve dhe mësuesve të shkollës të cilët shqetësohen për sigurinë e nxënësve gjatë kalimit të rrugës, pasi në këtë pjesë të Çairit ka shumë komunikacion. Por, përveç muajve të fillimit, mbikalimi pothuajse nuk shfrytëzohet fare.
 
Askush nga mësuesit e shkollës nuk përkujdeset që pas mësimit të sigurohet që nxënësit të kalojnë rrugën përmes mbikalimit, asnjëherë në atë vend nuk ka policë që të paktën gjatë orarit të lëshimit të nxënësve të detyrojnë këmbësorët dhe shoferët të respektojnë rregullat e qarkullimit.
 
Rrëmuja me zgjerimin e rrugës në Jahja Pashë ndoshta zvogëlohet, por fëmijët duhen mësuar se për sigurinë e jetës së tyre patjetër duhet të përdorin mbikalimin. 
 
GYLTENE SINANI