Maqedoni

Gjevgjeli: vetëm mbrëmë, rreth 2 mijë refugjatë, mes tyre 125 fëmijë të pashoqëruar

04.09.2015 16:05

Vazhdon fluksi i madh i refugjatëve që hyjnë në Maqedoni...

Edhe gjatë ditës së sotme qindra emigrantë u strehuan përkohësisht në Gjevgjeli para se të transitojnë përmes vendit tonë drejt vendeve evropiane. 
 
Vetëm mbrëmë në vend kanë hyrë 1 mijë e 808 emigrantë, mes tyre 310 fëmijë të shoqëruar me prindër dhe plot 125 fëmijë të tjerë të vetmuar. 
 
Ata janë të strehuar përkohësisht në Qendrën e Pranimit të Azilantëve në Gjevgjli. 
 
Drejtoresha e Qendrës për Menaxhim me Kriza, Suzana Saliu, dhe koordinatori kombëtar për zvogëlim të rreziqeve nga aksidentet, Zhivko Jankulloski, thonë se Maqedonia është e gatshme të përballet me fluksin e ri  të refugjatëve.
 
“Mendojmë se me ndërtimin e Qendrës për Pranimin e Refugjatëve këtu, bëjmë një punë të madhe humanitare për refugjatët dhe kështu do vazhdojmë edhe në të ardhmen”- deklaroi drejtoresha e QMK-së, Suzana Saliu. 
 
“Jemi duke u përgatitur për fluksin e ri të refugjatëve që do të vijnë në Maqedoni si pasojë e ndalesës së Hungarisë për këta njerëz. Ne mendojmë se ky hap i Hungarisë është i gabuar, sepse emigrantët nuk vijnë me qëllime të këqija, por janë të detyruar të ikin prej zonave luftarake”- tha koordinatori kombëtar, Zhivko Jankulloski.
 
Sipas të dhënave të MPB-së, prej datës 19 qershor deri më 4 shtator të këtij viti janë dhënë 58 mijë e 959 vërtetime për shtetas të huaj, të gjithë të ardhur  nga zonat e luftës në  Lindjen e  Mesme.
 
REXHEP QAMILI