Maqedoni
Prokurori special, Zaev optimist se do të zgjidhet brenda afatit
04.09.2015 17:08
21 ankesa do të parashtrohen kundër vendimit të Gjykatës Themelore Shkupi 1 për të hedhur poshtë si dëshmi bisedat...

21 ankesa do të parashtrohen kundër vendimit të Gjykatës Themelore Shkupi 1 për të hedhur poshtë si dëshmi bisedat e përgjuara telefonike në padinë kundër kryeministrit, Nikolla Gruevski, dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, thotë se ky hap është një sinjal shumë i mirë në procesin për kthimin e sundimit të së drejtës dhe pavarësisë së pushtetit gjyqësor.
“Presim vendime kushtetuese dhe ligjore nga instancat më të larta gjyqësore. Ky është një sinjal shumë i çmuar për atë se a jemi të gatshëm ta kthejmë në normale gjyqësorin në tendencën ndaj gjyqësorit të pavarur”- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Për sa i përket prokurorit special, lideri i LSDM-së thotë se nuk pret ndonjë pengesë në emërtimin e tij deri më 15 shtator. Nëse ky afat nuk respektohet, Zaev sërish kërcënon se do vazhdojë me publikimin e materialeve të përgjuara.
“Dallimet e ekipeve në bisedime janë konceptuale, por shpresoj se do të tejkalohen deri në fillim të javës që vjen. Mund të jetë data 7 apo 9, unë do isha i lumtur që të jetë i shtati, që me vendim ligjor përmes ndryshimit dhe plotësimit të ligjit, të zgjidhet prokuror special me një strukturë të re të formuar me disa zëvendësprokurorë, me shërbimet adekuate administrative dhe më e rëndësishmja me autonomi dhe pavarësi të plotë, pra gjithçka që do garantojë nisjen e procesit”- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Por, edhe këtë herë Zaev nuk bëri të ditur se kur do t’i publikojë përgjimet që ai thotë se ka për rastin “Monstra”.
“Qëndrimi ynë tashmë është i qartë se nëpërmjet prokurorit special do të dorëzohen të gjitha materialet në mënyrë transparente dhe më pas do të publikohen me qëllimin për sjelljen e një vendimi të drejtë gjyqësor dhe këtu e vërteta do të ndahet me të gjithë qytetarët”- ka deklaruar Zaev gjatë vizitës së tij në Tetovë.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
