Maqedoni
Ministri Ademi në Prishtinë, përforcohet bashkëpunimi në sferën e arsimit
04.09.2015 17:24
Ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës, ku është takuar me ministrin e Arsimit të Kosovës, Arsim Bajramin...

Dy ministrat kanë biseduar për thellimin e bashkëpunimit në sferën e arsimit dhe shkencës në bazë të marrëveshjes për bashkëpunim, që u nënshkrua kohë më parë.
“Ne sot u dakorduam që në bazë të asaj marrëveshje të përpilojmë edhe programet ekzekutive, këto programe të përgatiten nga një grup i përzier prej përfaqësueseve të të dy ministrive që do të takohen rregullisht dhe do të na njoftojnë në çdo tre muaj. Ne kemi filluar të aplikojmë edhe programet e adaptuara për lëndën e matematikës dhe lëndën e shkencave të natyrës nga programi i Kembirxhit që janë shumë cilësore. MASh që dy vite tanimë po e aplikon këtë program dhe do të vazhdojë për të përmbyllur ciklin për arsimin fillor dhe jemi të gatshëm për bashkëpunim nëse Qeveria e Kosovës përcaktohet për aplikimin e programeve të njëjta për të ndihmuar në procedurë dhe për shkëmbim të teksteve”- tha Ademi.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ademi, gjatë ditës është pritur nga rektori i Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu, të cilin e falënderoi për përkrahjen që Universiteti i Prishtinës ua ka dhënë universiteteve në gjuhën shqipe në Maqedoni.
“Është më se i nevojshëm bashkëpunimi në mes universiteteve të të dy vendeve me përpilimin e një programi studimor të integruar në mes universiteteve, ku do të ndihmonte edhe në mobilitetin e studentëve edhe në shkëmbimin e përvojave edhe të profesorëve, por do të ndikonte që studentët në pjesë të studimeve t’i kryejnë në Maqedoni, një pjesë në Shqipëri dhe një pjesë këtu në Kosovës”- u shpreh Ademi.
Nesër ministri Ademi do të marrë pjesë në përurimin e Himnit të Nënës Terezë, “Valsi Hyjnor”, të organizuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për nder të shënimit të 105 vjetorit të lindjes së Gonxhe Bojaxhiut, Ditës Ndërkombëtare të Bamirësisë, të shpallur nga OKB-ja dhe në prag të Shenjtërimit të Nënës Terezë nga Vatikani.
FLUTURA LATIFI
