Maqedoni
Grupi punues diskuton listën zgjedhore, marrëveshja e qershorit debat edhe në kuvend
04.09.2015 18:00
Kodi zgjedhor sërish është rikthyer në tryezën e bisedimeve në grupin punues për zbatimin e Marrëveshjes politike të dy qershorit...

Partitë, edhe pse kanë deklaruar gatishmëri për zbatimin e plotë të kësaj marrëveshje, qëndrimet diametralisht të kundërta për çështje të caktuara e bëjnë të vështirë kompromisin.
Një ndër këto çështje është edhe lista zgjedhore. BDI është kundër propozimit të opozitës maqedonase për regjistrimin sipas modelit derë më derë, pasi vlerëson se me këtë model shumë mërgimtarë shqiptarë mund të mbesin të paregjistruar dhe nuk do të kenë mundësi të shfrytëzojnë të drejtën për votim.
Ndërkaq, PDSh kërkon që regjistrimi të bëhet me shenja gishti për të reduktuar mundësinë për manipulime gjatë votimit.
Siç mësohet, VMRO dhe LSDM janë shumë afër marrëveshjes për krijimin e një liste të re zgjedhore me regjistrimin paraprak të zgjedhësve, por me modifikime nga propozimi fillestar i opozitës.
Zbatimi i Marrëveshjes së Përzhinës ka zënë vend edhe në seancën plenare të kuvendit. BDI garantoi zbatimin e plotë të kësaj marrëveshje.
“Grupi parlamentar i BDI-së ju garanton bashkëpunim korrekt, kolegjialitet dhe inplementim ekstrem të marrëveshjes së dy qershorit dhe protokollit për implementimin e pikës gjashtë të asaj marrëveshje”- tha Xhevat Ademi nga BDI.
Edhe grupi parlamentar i LSDM-së deklaroi se kthimi i saj në Kuvend ndodh pikërisht për të respektuar dhe për të zbatuar këtë marrëveshje.
“Zbatimi i qëllimeve nga Marrëveshja e Përzhinës është më e rëndësishmja, pasi Maqedonia nuk mund të lejojë më marrëveshje për shkak të marrëveshjes”- theksoi Goran Sugareski nga LSDM.
Konformë Marrëveshjes së dy qershorit diskutimet rreth legjislativës zgjedhore kanë më shumë afat, ajo që duhet dakorduar brenda 10 ditësh është zgjedhja e prokurorit special, pastaj ndryshimet në kabinetin qeveritar deri në shkarkimin e kryeministrit dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme të paralajmëruara për në prill të vitit 2016.
SHPËTIM NUREDINI
