Botë

Gjermani, zjarr në qendrën e azilkërkuesve, 5 të lënduar

04.09.2015 18:15

Derisa Evropa ndan kuotat për pranimin e refugjatëve, duket se jo të gjithë evropianët dakordohen me një numër kaq të shtuar refugjatësh në vendet e tyre...

Pesë persona janë plagosur, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë, ndërsa zjarri përfshiu një qendër azilantësh, në qytetin Hepenheim, në perëndim të Gjermanisë.

Policia gjermane ende nuk e ka zbuluar shkakun e zjarrit që nisi pas mesnatës. Njëri prej azilantëve ka shpëtuar nga djegia, duke u hedhur nga kati i dytë i ndërtesës, duke marrë lëndime të shumta, ndërsa 4 të tjerët janë gjetur pa ndjenja në tokë.

Në godinën trekatëshe janë strehuar 60 refugjatë nga Siria, Iraku, Somalia dhe Etiopia.

Policia gjermane, shteti me më shumë kërkesa për azil përgjatë këtyre muajve, ka ndërhyrë në gati 100 sulme e zjarrvënie në qendrat e azilit, por ende asnjë njeri nuk është vënë nën pranga.