Mbi 4,000 emigrantë arrijnë në Austri

05.09.2015 14:20

Mbi 4,000 njerëz, shumica e tyre nga Siria, kanë kaluar kufirin me Austrinë dhe janë pranuar në një qendër të Kryqit të Kuq...

Autoritetet austriake kanë thënë se ata mund të aplikojnë për azil ose të vazhdojnë drejt Gjermanisë nëse duan. Ky veprim vjen derisa vendet e Bashkimit Evropian po përpiqen që të pajtohen për mënyrën se si të trajtojnë valën e paparë të azilkërkuesve.

Qeveria e Hungarisë ka lehtësuar kufizimet në tranzit pasi shumë migrantë kanë tejkaluar kordonët e policisë të premten dhe janë nisur në drejtim të kufirit në këmbë. Autobusët pastaj kanë nisur t’i marrin migrantët nga stacioni kryesor i trenave në Budapest. Automjete janë dërguar edhe për ata që kanë vendosur të ecin përgjatë autostradës, drejt Hungarisë.

Punëtorët austriakë të Kryqit të Kuq i kanë pritur migrantët në një qendër të improvizuar me çaj dhe batanije. Gjermania ka thënë se pret rreth 800 mijë migrantë dhe refugjatë këtë vit. Hungaria është bërë vend i madh tranziti për njerëzit që ikin nga Lindja e Mesme dhe Afrika dhe arrijnë në Evropë.

Të premten, Parlamenti i Hungarisë ka miratuar kontrolle të ashpra kufitare dhe dënime për migrantët, duke thënë se po zbaton rregullat evropiane.

Sipas një rregulli të BE-së, i njohur si Rregullorja e Dablinit, refugjatët duhet të kërkojnë azil në vendin e parë të BE-së ku hyjnë. Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka thënë se fluksi i migrantëve është “problem i Gjermanisë”, pasi shumica e tyre dëshirojnë të shkojnë atje. Por, kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se refugjatët duhet të ndahen në mënyrë të drejtë në mesin e vendeve anëtare të BE-së.