FSHF injoron gazetarët shqiptarë të Maqedonisë
Federata shqiptare e futbollit (FSHF) është sjell keq me gazetarët sportiv nga Maqedonia, duke mos i dhënë akreditime për ndeshjen e së hënës ndërmjet Shqipërisë dhe Portugalisë në Elbasan Arena, ndonëse ata me kohë kanë bërë kërkesën...

Ata janë shprehur të zhgënjyer me sjelljet e zyrtarëve të FSHF-së, e cila madje disa gazetarëve as që iu ka kthyer përgjigje, duke i injoruar skajshmërisht.
Redaktori i sportit në të përditshëm “Lajm”, Reshat Ibraimi parashtron pyetjen ku mbeti sllogani “Një komb. Një kombëtare”. “Ende nuk po mund ta besoj se jemi refuzuar nga Federata shqiptare e futbollit. Nuk e kam të qartë si është e mundur të refuzohen gazetarët sportiv nga Maqedonia, nuk e di nëse po na llogarisin si pjesë përbërëse e një kombi. Ku po mbetet slogani Jemi Një! Ky vendim i tyre është i pakuptueshëm dhe unë kërkoj nga ata të rishqyrtojnë kërkesat tona, sepse Kombëtarja nuk është vetëm e tyre, por është edhe e jona. Bile mos ta teproj ne e duam më shumë se sa ata që punojnë në zyrat e FSHF-së”, deklaroi i revoltuar redaktori sportiv i gazetës “Lajm”, Reshat Ibrahimi.
“Kur gazetarët e sportit nga Maqedonia, kanë nderin të dalin në foto me kolegët nga Shqipëria, është normale që FSHF-ja, të refuzojë të gjitha akreditimet e gazetarëve nga Maqedonia. Megjithatë, shërbimi për informim i FSHF-së, nuk guxonte ta bëjë këtë pasi edhe mediat shqiptare nga Maqedonia, si Alsat-M po kontribuojnë në krijimin e një atmosfere tejet të këndshme në kombëtare. Nëse duam një komb një kombëtare, kurrsesi FSHF-ja nuk guxonte t’i refuzojë gazetarët shqiptar të Maqedonisë”, shton Safet Ademi, gazetar sporti në Alsat-M.
Ndërsa gazetari i televizionit tjetër kombëtar, Shaban Sinani, thotë se është i zhgënjeyr nga injoranca që iu bë gazëtarëve shqiptar. “Jemi të zhgënjyer nga injoranca që ju bëhen mediumeve shqiptare në Maqedoni. Kërkesën për akreditim e kemi dorëzuar me datën 22 gusht dhe për të njëjtën kemi konfirmim që është e pranuar, por nga shërbimi për informim në Federatën Shqiptare të Futbollit edhe sot e kësaj dite nuk kemi përgjigje, as pozitive, e as negative. Shërbimi për informim në FSHF duhet të jap llogari për këtë neglizhencë për mediumet shqiptare në Maqedoni”, u shpreh Shaban Sinani, redaktor sporti në TV Art nga Tetova.
Ka edhe shumë gazetarë të tjerë sportivë nga media të ndryshme në Maqedoni, të cilëve i është refuzuar akreditimi apo nuk kanë marë kurfarë përgjigje nga Federata Shqiptare e Futbollit. Ndeshja Shqipëri – Portugali e vlefshme për “EURO 2016” do të luhet të hënën në Elbasan Arena.
