Mustafa, zhvillimi i vendit, prioritet mbi prioritete
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se zhvillimi i vendit është me prioritet mbi prioritete...

Ai ka thënë se viti 2015 është vit i sfidave dhe vendimeve të mëdha dhe ka përmendur këtu ndryshimet kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte në Kosovë, pastaj shënjimin e kufirit me Malin e Zi e të tjera.
Përmes një postimi në Facebook, Mustafa ka thënë se, në ditët në vijim, do të punojnë në përmbylljen e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në forcë mbrojtëse të vendit.
Kreu i ekzekutivit po ashtu ka thënë se gjatë këtij muaji, qeveria do të procedojë me Ligjin mbi investimet strategjike, i cili do të krijojë hapësirë për marrëveshje të drejtpërdrejta me investitorët. Në anën tjetër, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Isa Mustafa se me bisedimet me Serbinë po bëjnë ndarjen e pronësisë dhe buxhetit të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon me aktivitetet e saj, protesta dhe tubime të ndryshme në komunat e Kosovës, për të kundërshtuar arritjen e marrëveshjes për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe apo, siç e quajnë ata, “Zajednicës”në veri të Kosovës.
Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe, sipas marrëveshjes, pritet të mbledh përfaqësues të deleguar nga dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë.
