Gruevski: Pasqyrohet realisht puna e qeverisë
Raporti i fundit i FMN-së, i cili rendit Maqedoninë në mesin e 5 vendeve me borxhe më të ulëta në Europë, sipas kryeministrit Nikolla Gruevski pasqyrohet realisht puna e qeverisë në realizimin e projekteve kapitale...

Me një konstatim të tillë të FMN-së, Gruevski thotë se bien poshtë akuzat e opozitës se qeveria po fut në borxhe marramendëse shtetin. Në raportin e FMN –së thuhet se borxhi shtetëror i Maqedonisë është prej rreth 36% ndërsa borxhi publik prej 43%.
“Në raport vërtetohet fakti se huatë janë bërë për projkete kapitale dhe infrastrukturore siç janë rrugët, hekurudhat, projekte energjetike, spitale dhe të ngjashme. Ashtuqë mua më vjen mirë që doli ky raport pasiqë i mohon të gjitha akuzat e deritanishme drejt qeverisë, se qeveria ka futur në borxhe shtetin, se do të ketë përplasje së shpejti dhe se borxhi është tejet i lartë dhe se ne po krijojmë një fotografi sipërfaqësore se kemi borxhe të ulëta, dhe ja tani një ndër institucionet më eminente, FMN-ja doli me raport ku qartë tregon se cili është borxhi shtetëror dhe borxhi publik” – deklaroi kryeministri, Nikolla Gruevski.
Në raport përmenden edhe investimet e huaja në Maqedoni. Sipas parashikimeve të FMN-së pritet që nga këto investimeve të hapen 30 mijë vende të reja të punës. Kjo sipas Gruevskit është një vlerësim i lartë për angazhimin e qeverisë në drejtim të zhvillimit të ekonomisë në vend.(Meral Ismaili, TVM2)
