Grupet e punës takohen për prokurorin special, Zaev sot në gjykatë për rastin “Puç”

07.09.2015 11:00

Vazhdojnë edhe sot takimet e grupeve të punës që duhet të Implementojnë pikat e marrëveshjes së Përzhinos...

Prokurori special është tema që nuk po arrihet të kapërcehet me marrëveshje për shkak të qëndrimeve diametralisht të kundërta të grupeve të VMRO-së dhe LSDM-së. As të shtunën nuk u arrit marrëveshje për prokurorin special edhe përkundër optimizmit javës që shkoi të liderit të LSDM-së se kjo pikë do të përmbyllet shumë shpejt.

LSDM këmbëngul për një prokuror  special me autonomi të plotë, ndërsa VMRO-DPMNE prokuror me ndihmës, por që do të financohet dhe do të shfrytëzojë resurset njerëzore të prokurorisë publike. LSDM insiston në një zgjidhje ligjore për formimin e një departamenti special në gjykatë me shembullin e pjesës për lëndët e krimit të organizuar.

Nga VMRO-DPMNE po insistojnë që këto lëndë të punohen në departamentet që janë formuar në Gjykatën Penale.

Sot, ndërkohë, vazhdon edhe gjykimi në rastin “Puç”, ku i dyshuari kryesor është vetë lideri i LSDM-së, Zoran Zaev. Sipas praktikës së deritanishme, ai nuk do të paraqitet në gjykatë pasi nuk ka besim tek sistemi aktual gjyqësor. Avokatët e tij thonë se gjykimi për rastin e “Puç” do të shtyhet përderisa nuk zgjidhet prokurori special dhe nuk e merr në dorë lëndën në të cilën Zaev është i akuzuar për dhunë ndaj organeve më të larta shtetërore.