De Biasi dhe Gashi: Do të japim më të mirën
Trajneri i Shqipërisë, Gianni De Biasi dhe sulmuesi Shkëlzen Gashi, dolën në një konferencë për shtyp, të organizuar në ambientet e sallës së konferencave të stadiumit “Elbasan Arena”...

Fillimisht foli sulmuesi i Baselit, Gashi, i cili vlerësoi kundërshtarin, por deklaroi se Shqipëria do të luajë për të marrë rezultat pozitiv.
“Shpresoj që të japim të gjithë më të mirën tonë, për të arritur një rezultat, që do të kënaqë tifozët dhe do të na japë një shtysë për një renditje sa më të mirë në eliminatoret e Kampionatit Europian. Lodhja fizike ndaj Danimarkës nuk do të ndikojë”- theksoi ai.
Më pas para mediave foli trajneri i Shqipërisë, De Biasi:
“Kjo ndeshje është e rëndësishme për ne për tre arsye: Së pari, sepse konfirmojmë formën tonë dhe rezultatet e deritanishme, së dyti sepse jemi në fazën vendimtare të ndeshjeve kualifikuese dhe së treti, sepse luajmë ndaj një kundërshtari të madh që është edhe kryesuesi i grupit tonë eliminator.”
Më pas trajneri i Shqipërisë, vlerësoi punën që ka bërë trajneri i Portugalisë me ardhjen e tij. Në lidhje me aktivizimit të Hysajt, trajneri deklaroi se ai nuk është i rikuperuar dhe nuk do të jetë në dispozicion në këtë përballje.
“Për formacionin, nuk mund të flas sot sepse kam edhe disa dyshime për të cilat do të vendos, nesër paradite. Ju siguroj që do të japim më të mirën, ndaj një kundërshtari të fortë dhe me mjaft talente në skuadër”- deklaroi ai.
Në fund trajneri i Shqipërisë, gjeti rastin edhe për të bërë shaka, me pyetjen në lidhje me markimin e yllit të Portugalisë Cristiano Ronaldo: “Shpresoj të verë dorën në zemër, sepse unë e kam votuar për “Topin e Artë”. Përndryshe…do të votoj Mesin” – e mbylli ai, konferencën për shtyp.
Më pas, ekipi ju nënshtrua seancës së fundit stërvitore përpara ndeshjes së sontme.
