Fernando Santos dhe Quaresma vlerësojnë Shqipërinë
Portugalia e ka të qartë vështirësinë e ndeshjes në Shqipëri. Në konferencën për shtyp përpara ndeshjes, trajneri Fernando Santos u shpreh se luzitanët duhet të luajnë në nivelin e tyre më të lart për të marrë tri pikët në Elbasan Arena...

“Askush nuk duhet të ketë dyshime se do të hasim shumë vështirësi. Duhet të kemi parasysh që Shqipëria nuk është një skuadër e lehtë. Nëse duam të fitojmë, është e nevojshme të jemi agresivë, dinamikë, të tregojmë dëshirë në fushë dhe të shfrytëzojmë rastet. Kualiteti ynë mund të bëjë diferencën”.
Santos kërkon vetëm fitoren në Shqipëri. Mënyra për të mposhtur kuqezinjtë, vjen nga ky shënim i trajnerit për lojtarët portugezë. Fitore: Organizim, përqendrim, pasion, besim.
“Objektivi ynë është vetëm fitorja. Edhe Cristiano Ronaldo është i motivuar të ndihmojë skuadrën pavarësisht se nuk ka shënuar në tre ndeshje. Shqipëria ka një skuadër shumë të mirë, me lojtarë cilësorë, ku forca e vërtetë është kolektivi dhe fakti që japin gjithçka në fushë. Nuk kam frikë, por vetëm vlerësime për punën e kolegut De Biasi, që ka ndërtuar një ekip të mirëorganizuar dhe që luan për fitore”.
Sipas trajnerit luzitan gara për t’u kualifikuar në Grupin I mbetet e ekuilibruar dhe dy sfidat e radhës janë vendimtare për Portugalinë, Danimarkën dhe Shqipërinë. Pikërisht në këtë moment përqendrohet edhe Ricardo Quaresma.
“Objektivi ynë i vetëm është fitorja. Kemi ardhur të marrim tri pikët edhe pse jemi të vetëdijshëm që nuk do të jetë e lehtë, pasi Shqipëria është pranë kualifikimit në Euro 2016. Shqipëria ka shpirt loje, kundërsulm të rrezikshëm dhe për këtë arsye ende nuk ka humbur në grup. Shpresoj që humbja e parë të vijë me Portugalinë”.
Ylli i Besiktas dha siguri se Portugalia është gati pavarësisht vështirësive që paraqet sfida në Elbasan.
