Arrestohet kryebashkiaku i Bukureshtit, nën hetim për korrupsion dhe marrje ryshfeti

07.09.2015 13:57

Arrestohet kryebashkiaku i Bukureshtit, Sorin Oprescu...

Dyshohet se zyrtari i lartë është pjesë e një grupi të organizuar brenda administratës publike rumune që merrte ryshfet nga kompani të ndryshme.

63–vjeçari u arrestua pas urdhrit të lëshuar nga Zyra Kombëtare e Antikorrupsionit. I konsideruar si një prej kryebashkiakëve më të fuqishëm në Rumani, Opresku është nën hetim për marrje ryshfeti.

Dyshohet se zyrtari i lartë është pjesë e një grupi të organizuar brenda Administratës Publike rumune, që merrte ryshfet nga kompani të ndryshme. Pjesëtarët e tjerë luanin rolin e ndërmjetësit mes kryebashkiakut dhe kompanive, të cilave u jepeshin në këmbim kontrata publike në kryeqytetin rumun. 10% të fitimit nga kontratat i merrte kryebashkiaku Opresku, 30-33% e merrnin kompanitë, ndërsa pjesa e mbetur shkonte për pjesëtarët e grupit.

Këta të fundit, gjithashtu ndihmonin kompanitë të përfitonin kontrata edhe në institucione të tjera. Arrestimi i Oprescut është skandali më i fundit në një varg skandalesh ku janë përfshirë figura kryesore politike në Rumani.

Kryeministri, Victor Ponta, u arrestua në muajin korrik për korrupsion, evazion fiskal dhe pastrim parash gjatë kohës kur punonte si avokat.  Prokurorët e Zyrës Kombëtare Kundër Korrupsionit thonë se grupi është aktiv prej vitit 2013. Por, avokati i tij hodhi poshtë akuzat, duke theksuar se Opresku kurrë nuk ka kërkuar para nga askush, drejtpërdrejtë apo tërthorazi.

Sorin Opresku u zgjodh kryebashkiak në vitin 2008 si kandidat i pavarur me mbështetjen e fortë të socialdemokratëve të kryeministrit, Viktor Ponta, si një ish anëtar i kësaj partie. Ata e ndihmuan të rizgjidhej në vitin 2012. Vetë kryeministri Ponta, i cili nuk është më në krye të partisë, është nën hetim nga Zyra e Antikorrupsionit për evazion fiskal e pastrim parash. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)