Botë

Shqipëri-kuvend, debate të ashpra për trafikun e drogës

07.09.2015 14:02

Sesioni i ri parlamentar në Shqipëri, që ka nisur sot, ka filluar punimet me debate të ashpra mes deputetëve lidhur me trafikun e drogës...

Kanë qenë deputetët e opozitës që pas lajmit për ndalimin e një tjetër avioni me drogë në Itali kanë akuzuar kryeministrin Rama dhe ministrin e Brendshëm Tahiri për përfshirje në këto linja trafiku.
 
“Shqiptarët e dinë kush i nis avionët që kapen në Itali dhe qeveria ndaloi atë polic që informonte italianët e që sot denoncon hapur trafikun”- akuzuan deputetët e PD-së.
 
Duke iu përgjigjur akuzave, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka deklaruar se ndalimi i avionit me drogë u bë i mundur nga bashkëpunimi policor Shqipëri-Itali.
 
“Gjatë këtij aksioni u arrestua edhe një zyrtar policie, gjë që nuk ndodhte në qeverinë tuaj. Ky është dallimi mes standardit tonë për të luftuar krimin dhe standardit tuaj”- iu është kundërpërgjigjur akuzave të PD-së ministri i Brendshëm shqiptar, Saimir Tahiri. 
 
Në fillim të seancës, deputetët miratuan me 118 vota pro heqjen e imunitetit të deputetit të PS-së, Armando Prenga, i përfshirë në konfliktin e armatosur të ditës së premte, ku mbetën të plagosur 7 persona. Duke reaguar pas votimit, ish-kryeministri, Sali Berisha, hodhi akuza ndaj kryeministrit Rama.
 
“Futi kriminelët në Parlament. Parlamenti është kthyer në strofull e kriminalitetit”- tha Berisha.
 
Sipas PD-së, rasti i deputetit Prenga është vetëm maja e ajsbergut të një sistemi të inkriminuar të cilin PD nuk e quan pushtet por regjim. 
 
MIGENA GORENCA