Malësia e Shkupit, pllaka përkujtimore për dëshmorët e parë të UÇK-së
Dje, Këshilli Iniciues i SHVL-UÇK-së për malësinë e Shkupit, së bashku me pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve, bashkëluftëtarë dhe banorë të fshatrave Tanushë, Brezë dhe Malinë në 4 lokacione në vendet ku kanë rënë dëshmorët e luftës së UÇK-së, vendosën pllaka përkujtimore për dëshmorët e rënë në vitin 2001...

Nga Këshilli Iniciativ thonë se vendosja e këtyre pllakave nderon dëshmorët e kombit. Me këtë ju tregojmë të gjithëve se ne gjithmonë do t’i kujtojmë vlerat e luftës, u shpreh invalidi i luftës dhe anëtari i SHVL-UÇK-së, Xhemail Selimi.
Një nga luftëtarët e UÇK-së, Bekim Dardhishta, me shumë emocione përkujton rënien e dëshmorit, Shpend Mazrekaj.
Pllakë përkujtimore është vënë për dëshmorin e parë që ra në këtë luftë, Muzafer Xhaferin, i rënë më 16 shkurt të vitit 2001, në afërsi të fshatit Tanushë, dëshmorin e ardhur nga rrafshi i Dukagjinit, Shpend Mazrekaj, i cili na jep dëshmi për lidhjen e gjakut tonë shqiptar në Maqedoni dhe Kosovë. Pllakë përkujtimore iu vu Nijazi Sinanit, të riu nga Malina, që fjalën e fundit e pati: “Kur të pushojë automatiku im, atëherë do të pushojë edhe zemra ime”, Qemal Shaqirit, Elham Currit dhe Gazmend Arifit, të cilëve pllakë iu vu në Malinë, atje ku dhanë jetën e tyre. Ismet Bajramit gjithashtu iu vendos pllakë në vendin ku edhe e dha jetën e tij. (Reshat Kamberi, TVM2)
