Botë

Franca kundër ISIS-it, Hollande: ISIS përgatit sulme, duhet të mbrohemi

07.09.2015 14:56

Presidenti francez, Fransua Hollande, urdhëroi përgatitjet për fillimin e sulmeve ajrore kundër militantëve të “Shtetit Islamik” në Siri...

Franca do t'i nisë të martën fluturimit e zbulimit, që do të pasohen nga sulme kundër grupit të dhunshëm ekstremist.
 
Por, ashtu si edhe kreu i Shtëpisë së Bardhë, Hollande e përjashtoi mundësinë e dislokimit të trupave tokësore.
 
"Përgjegjësia ime është të sigurohem që të kemi të gjithë informacionin e mundshëm mbi kërcënimet që i kanosen vendit tonë. Për këtë arsye, i kërkova ministrit të Mbrojtjes të nisë, duke filluar nga nesër, fluturimet e zbulimit mbi Siri, të cilat do të na lejojnë organizimin e sulmeve ajrore kundër ISIS-it” – deklaroi presidenti i Francës, Francois Hollande. 
 
Mbi 220.000 vetë janë vrarë, sipas OKB-së, në Siri që prej fillimit të luftës katër vjet më parë, ndërsa të shpërngulurit llogariten më shumë se 9 milionë.
 
Hollande u shpreh se nga brenda Sirisë po përgatiten sulme terroriste kundër disa vendeve të ndryshme, përfshirë këtu dhe Francën.
 
Nëse amerikanët e kanë nisur me kohë goditjen e militantëve të “Shtetit Islamik” nga ajri, Parisi zyrtar deri më tani kishte ngurruar ta hidhte këtë hap.
 
E përditshmja "Le Monde" megjithatë e bëri të qartë që në fundjavë se ekzekutivi po e shqyrtonte një mundësi të tillë, duke shtuar se fluksi i madh i sirianëve që i drejtohen Evropës e bën sot më urgjente se kurrë nevojën për neutralizimin e luftëtarëve të ISIS-it.
 
REJHAN BUSHI-METAJ