Prokurori special, Arsovski: Duhet presion ndërkombëtar

07.09.2015 16:00

Edhe pse kanë ngelur vetëm 8 ditë për realizimin e marrëveshjes politike, takimet e grupeve punuese të katër partive politike nuk po rezultojnë me përparim konkret....

15 shtatori po afrohet, ndërsa aspektet ligjore, kompetencat dhe çështjet e tjera lidhur me prokurorin special ende nuk janë definuar. Ekspertët thonë se afati për emërtimin e prokurorit special duhet të respektohet, por kjo do të arrihet sërish nën presion ndërkombëtar.

Sipas analistit politik, Petar Arsovski, praktika na tregon se politikanët tanë nuk mund të arrijnë asnjë marrëveshje pa presion ndërkombëtar. 

“Partitë politike akoma nuk kanë vullnet të qartë politik dhe Marrëveshja e Przhinos u arrit si rezultat i presionit ndërkombëtar, dhe nisur nga vetë marrëveshja, ka shumë gjasa që komuniteti ndërkombëtar sërish të bëjë presion që të emërohet prokurori special”- deklaroi analisti politik, Petar Arsovski.

Sipas analistëve, nëse deri më 15 shtator nuk emërtohet prokurori special, ka rrezik real që marrëveshja politike të prishet.

“Opozita ka një qëndrim që vazhdimisht e përsërit: nëse nuk arrihet marrëveshje për prokurorin special, nuk ka asnjë marrëveshje tjetër. Nëse nuk respektohen afatet dhe në tërësi Marrëveshja e Przhinos, mendoj se do të rrezikohen edhe zgjedhjet në prill edhe pjesëmarrja e opozitës në kuvend, pra komplet marrëveshja politike do të bie në ujë”- theksoi analisti politik, Petar Arsovski.

Nëse partitë politike nuk arrijnë marrëveshje, Arsovski nuk e përjashton mundësinë që ndërkombëtarët të propozojnë prokurorin special. (Sanije Kasami, TVM2)