Rasti “Puç”, Zaev nuk paraqitet në gjykim, prokuroria propozon t’i merret pasaporta

07.09.2015 16:08

Është anuluar seanca e sotme gjyqësore për rastin “Puç”, ku i akuzuar është edhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev...

Në seancën e sotme gjyqësore, prokurori publik ka kërkuar që Zoran Zaevit t’i hiqet masa për paraqitjen e tij në gjykatë çdo javë, por është kërkuar që t`i konfiskohet pasaporta. Lidhur me këtë kërkesë të prokurorisë do të vendosë Këshilli Gjyqësor pranë Gjykatës Penale në Shkup, ndërsa Zaev as sot e as në seancën e parë gjyqësore nuk u paraqit në gjykatë.

Zaev më herët kishte deklaruar se nuk e respekton gjykatën për të cilën thotë se është nën kontrollin direkt të pushtetit. Ekipi i avokatëve të Zaevit paralajmëroi se do të kërkojë shtyrje të gjykimit deri në zgjedhjen e prokurorit special, i cili duhet zgjedhur deri më 15 shtator, si pjesë nga Marrëveshja e Przhinos, për dalje nga kriza politike. Sipas avokatit, Angele Ivanovski, është koha të mendohet që prokurori special të marrë përsipër rastin nga 15 shtatori.

“Mbetet të shohim rrjedhën politike dhe juridike të kësaj se si do të zhvillohet në kuvend dhe më pas eventualisht të japim mendimin tonë”- deklaroi avokati mbrojtës, Angele Ivanovski.

Seanca e  radhës për këtë rast është caktuar më datën 5 tetor. Përveç Zaevit, që është i akuzuari i katërt, të akuzuarit e tjerë që ishin prezent në gjykim, si Branko Pallifrov dhe Sonja Verushevska, mbrohen në liri, ndërsa Zoran Verushevski dhe Gjorgji Llazarevski janë në paraburgim.

Të akuzuarit në rastin “Puç” akuzohen për përgjim të paautorizuar, spiunim dhe dhunë ndaj përfaqësuesve të lartë shtetërorë. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)