Kriza e emigrantëve, Ivanov mbledh krerët e mbrojtjes dhe sigurisë

07.09.2015 16:49

Presidenti, Gjorge Ivanov, mblodhi sot shefin e Shtatmadhorisë së Armatës së Republikës së Maqedonisë, komandantin e Komandës së Bashkuar Operative, drejtorët dhe udhëheqësit e organeve shtetërore kompetente për mbrojtjen, sigurinë dhe zbulimin dhe me koordinatorin kombëtar për luftë kundër terrorizmit...

Siç kumtoi kabineti i kryetarit të shtetit, organet kompetente e kanë informuar Ivanovin për kërcënimet dhe rreziqet të cilat janë pasojë e krizave dhe konflikteve rajonale me të cilat përballet Republika e Maqedonisë, si dhe për masat që ndërmerren për parandalim dhe përballje me të njëjtat. Në takim është biseduar për krizën e emigrantëve, e cila vjen nga territori i një shteti- anëtar të Bashkimit Evropian.

Institucionet kompetente e kanë informuar presidentin e Maqedonisë se krahas angazhimit të një pjese të njësiteve të Armatës dhe Policisë për mbikëqyrje të kufirit shtetëror dhe detyrat që dalin nga shqyrtimi strategjik mbrojtës, shërbimet shkëmbejnë dhe marrin të dhëna nga partnerët e huaj nga BE-ja dhe NATO dhe nga shtetet e rajonit, me qëllim të identifikimit të rreziqeve që dalin nga migracioni ilegal.