Lufta kundër IS-is, Franca nis fluturimet mbikëqyrëse, Italia kundër
Italia ka bërë të qartë se nuk do të marrë pjesë në sulmet ajrore në Siri kundër “Shtetit Islamik” (ISIS)...

Kryeministri italian, Matteo Renzi, thotë se Italia nuk do t’ì bashkohet iniciativave të ndërmarra tashmë nga Franca e Britania e Madhe, pasi gjykon se komuniteti ndërkombëtar duhet të impenjohet në një projekt afatgjatë në zgjidhjen e këtij konflikti e nismat flash mund të ndihmojnë ose jo.
“Për qeverinë italiane ajo që ka ndodhur në Libi me Ghedafin duhet t’i mësojë komunitetit ndërkombëtar të jetë më i kujdesshëm e më përgjegjës në veprime e veçanërisht në përballimin e krizës në Siri e Irak. Ajo që po ndodh aktualisht në Siri, Irak, Libi e kudo tjetër është një krizë botërore”- u shpreh Renzi, duke shpresuar se në mbledhjen e ardhshme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB të diskutohet për të kontribuar në një ide mbi të ardhmen.
Edhe zëvendëskancelari gjerman, Sigmar Gabriel, ka deklaruar se Gjermania nuk i bashkohet nismës së Francës e Britanisë së Madhe për nisjen e sulmeve ajrore kundër ISIS-it në Siri.
“Gjermania mendon se kjo nuk është detyra jonë e nuk mendojmë të ndërhyjmë në këtë konflikt me mjete ushtarake”- është shprehur ai.
Ndërkohë, Franca nis sot mbikëqyrjen e Sirisë nga qielli me fluturime zbuluese që parashikojnë dhe sulme ajrore kundër objektivave të zgjedhura.
Për presidentin francez, Hollande, Bashar Assad duhet të largohet ose duhet të neutralizohet.
Edhe Britania e Madhe i është bashkuar nismës së Francës në frontin anti ISIS dhe pse qëndrimi saj është operativ prej disa kohësh.
Siç ka zyrtarizuar dhe vetë kryeministri Kamerun, në 21 gushtin e kaluar një avion britanik ka goditur bazën e “Shtetit Islamik” në Raqqa, me qëllim vrasjen e dy xhihadistëve me nënshtetësi britanike. Objekti u realizua e nga ky sulm mbeti i vrarë xhihadisti, Reyaah Khan, i cili kishte planifikuar sulme kundër perëndimit e Rahul Amin.
Në favor të nismës së nisur sot nga Franca e Britania e Madhe është shprehur i dërguari special i OKB për Sirinë, Staffan De Mistura, i cili ka deklaruar “se në luftë kundër ISIS-it duhet të marrin pjesë një numër sa më i madh vendesh e se përshëndet impenjimin e nismën e ndërmarrë nga Franca.” (Merita Gashi, TVM2)
