Shqipëria e pafat, humb në fund nga Portugalia

08.09.2015 14:26

Një Shqipëri e pafat, e cila ndëshkohet vetëm 90 sekonda nga vërshëllima e fundit me Portugalinë, e për më tepër kur kishim goditur edhe traversën me anë të Cikalleshit...

Ishte një gol i Miguel Velosos me kokë, pas ekzekutimit të goditjes së këndit në minutën e 92-të, nga 3 shtesë të akorduara, ai që “gjunjëzon” për herë të parë kuqezinjtë në këtë fushatë kualifikuesesh për në Euro 2016.

Ishte thjesht një koinçidencë apo një rikthim i dobësisë sonë të viteve të kaluara, kjo vështirë të thuhet me bindje të plotë, por me Portugalinë jemi ndëshkuar në të njëjtën mënyrë dhe thuajse në të njëjtën minutë shtesë, edhe kur luzitanët triumfonin 2-1 me gol të mbrojtësit Bruno Alves, me kokë dhe nga goditja e këndit.

Keqardhje për më tepër kur pamë një pjesë të dytë, që u luajt me shumë më tepër pozitivitet krahasuar me të parën, e cila u mbyll me rrjeta të paprekura në Elbasan Arena, aty ku asnjëri prej dy ekipeve nuk mundi të gjente aq shumë hapësira, siç do të kishin dashur të gjenin, gjatë sulmeve të tyre. Gjithsesi, Shqipëria u duk e kënaqur me përpjekjet e deri atëhershme në mbrojtje, duke mbajtur kështu larg portës së Berishës ekipin portugez, por këta të fundit kanë qenë shumë më të vendosur me zotërimin e topit.

Portugalia kishte ardhur për “hakmarrje”, pas humbjes befasuese të pësuar në Portugali, dhe ia doli mbanë, në të njëjtën mënyrë siç siguroi edhe kualifikimin dy edicione më parë. Ndërsa Shqipëria do të ishte tepër e kënaqur edhe me barazimin, që do ta mbante me pikë të barabarta me Danimarkën, por sërish me një ndeshje më shumë për të luajtur.

Tashmë Shqipëria renditet e treta në grupin I të kryesuar nga Portugalia me 15 pikë, Danimarka ndjek me 12 pikë dhe kuqezinjtë me 1 pikë më pak, por me një ndeshje më shumë sesa danezët. Takimi i radhës për kuqezinjtë është sërish në "Elbasan Arena", më 8 tetor kundër Serbisë (kur Portugalia do të presë Danimarkën), për ta mbyllur këtë fushatë kualifikuesesh në transfertën me Armeninë.