US OPEN, Andy Murray ndalet nga Anderson

08.09.2015 14:33

Andy Murray e mbyll aventurën në US Open me një humbje që mund të peshojë shumë në karrierën e tij...

Numri 3 i botës nuk arriti t’i bënte ballë afrikano-jugorit Kevnin Anderson duke u dorëzuar pas 4 seteve lojë me rezultatin final 7-6, 6-3, 6-7, 7-6.

Tre sete në tie break për skocezin i cili nuk arriti të fitonte asnjë prej tyre në një maratonë që zgjati për 4 orë e 16 minuta. Një disfatë që e shkëput britanikun edhe nga rekordi i 19 çerekfinaleve rresht të arritura në turnetë grand slam dhe humbja më e madhe për të në një turne të madh gjatë 5 viteve të fundit. Në raundin tjetër, Anderson do të sfidojë zviceranin Stanislas Wawrinka i cili hasi vështirësi për të kaluar Donald Young.

Fituesi i Roland Garros lëshoi terren në setin e dytë ku u mund 6-1 por më pas rikuperoi duke e mbyllur ndeshjen 6-3, 6-4.

Asnjë problem edhe për Roger Federer që udhëton i qetë drejt çerekfinales. Ai kaloi në tre sete John Isner edhe pse në dy të parët u detyrua të shkonte në tie break ku fitoi 7-0, 7-5, ndërsa në setin e tretë arriti të rrëmbente një lojë me topat e kundërshtarit. Në çerekfinale Federer do të ndeshet me francezin Richard Gasquet i cili kaloi Tomas Berdych në 4 sete.

Për femrat nuk u regjistruan surpriza. Victoria Azarenka u imponua 6-3, 6-4 ndaj Varvara Lepchenkos, ndërsa Flavia Pennetta gjeti suksesin në sfidën kundër Samantha Stosur duke përsëritur të njëjtin rezultat 6-4 në të dyja setet. Më të vështirë e pati Simona Halep së cilës iu deshën tre sete për të mundur Sabine Lisicki, ndërsa Petra Kvitova ishte tepër e fortë për surprizën Johanna Konta, e cila u largua nga turneu pas humbjes 7-5, 6-3.