Maqedoni
Standardi jetësor, harxhimet mujore më të larta se rroga mesatare
08.09.2015 15:01
Shpenzimet mujore tejkalojnë të ardhurat mesatare që i merr një familje në Maqedoni...

Statistikat tregojnë se shporta mujore për një familje kap shifrën e më shumë se 32 mijë denarëve, ndërsa rroga mesatare mujore është në vlerë prej 22.025 denarë.
Po ashtu shpenzimet kanë shënuar rritje për 0.1% për dallim nga viti i kaluar, tregojnë statistikat e Entit Shtetëror për Statistika.
Derisa shpenzimet për jetesë janë për rreth 11 mijë denarë më të larta se paga mesatare mujore në Maqedoni, rritja e shpenzimeve në muajin e fundit për dallim nga viti i kaluar ka bërë që qytetarët të jenë edhe më të brengosur sa i përket shpenzimeve që duhet t’i bëjnë për t’u përgatitur për dimër.
Standardi i jetës është shumë më i ulët se sa çmimet e prodhimeve, thonë qytetarët të anketuar nga TVM2, ndërsa theksojnë se muaji shtator është muaji ku ata bëjnë harxhime më të mëdha shkaku i fillimit të shkollës si dhe përgatitjeve për dimër.
“Çmimet, nëse ke të holla lirë, nëse nuk ke shtrenjtë. Papunësia është e madhe, edhe me qenë çmimet e lira nuk mund të përballosh. Shtatori është më i shtrenjti, se fëmijët shkojnë në shkollë, harxhime për fletore, për libra e kështu me radhë, vjen edhe koha e dimrit për turshi e kësi lloj gjërash, rrogat janë të vogla”- deklaroi një qytetar.
“Rroga e vogël, çmimet e mëdha, ja po shikojmë, por nuk mund të blejmë asgjë. 33 denarë është 1 kilogram domate. Dru nuk ka”- theksoi një qytetar.
“Çmimet nuk janë shumë të shtrenjta, por për ata që s’kanë nuk janë të lira”- u shpreh një qytetar.
Nga ana tjetër, shitësit thonë se çmimet janë të lira, por problemi qëndron në faktin se popullata nuk kanë para.
“Shitje nuk ka, puna është dobët, nuk kanë populli para. Çmimet e lira janë por nuk kanë para, aty është problemi”- u shpreh një shitës.
“Po bëjnë përgatitje, ai që ka, ai që nuk ka vetëm shikon. Shumica nuk kanë. Populli ynë është vetëm me ndihmë sociale, dikush as atë nuk e ka. Nuk ka të ardhura, pa pasur të ardhura nuk mundet të bëhet shitje”- theksoi një shitës.
“Çmimet janë të volitshme, shumë mirë kemi kaluar, mall ka pasur. Ne aq e kemi standardin, rroga të mëdha nuk kemi, po sa për t’u bërë idare”- tha një shitës.
Sipas Entit Shtetëror për Statistikë, rritje është shënuar te perimet e freskëta për 2,7 për qind dhe tek pemët e freskëta për 1,7 për qind.
ERSAN PAJAZITI
