Maqedoni

Fillon nisja e haxhilerëve për në Haxh

08.09.2015 15:54

Në organizim të Bashkësisë Fetare Islame, në mënyrë solemne është bërë nisja e 111 haxhilerëve për të kryer njërin nga pesë kushtet e islamit, Haxhin...

Sipas organizatorit, Abaz Memeti, interesi i haxhilerëve për të kryer këtë obligim fetar nuk dallon nga viti i kaluar.
 
“Do të udhëtojmë së bashku me 111 haxhi dhe do të qëndrojmë 23 ditë në vendet e shenjta. Sivjet çmimi ka qenë 2600 euro dhe interesimi është i njëjtë sikurse edhe vjet. Familjarët t’i luten Allahu t’i furnizojë me shëndet. Sa u përket hanxhinjve, ata të bëjnë sa më shumë durim dhe atje të publikojnë kulturën islame të rojeve tona”- deklaroi organizatori, Abaz Memeti.
 
Kryerja e haxhit tregon faktin se si besimtari i sinqertë i nënshtrohet urdhrit të Zotit duke braktisur pasurinë, punën dhe familjen e tij. Haxhi i jep njeriut durim dhe e aftëson t'i përballojë vështirësitë.
 
“Pa asnjë gjynah, pa asnjë mëkat, pa asnjë gabim, me garanci të pejgamberit të shkosh ta kryesh haxhin do të thotë të lindësh për herë të dytë në jetën e kësaj bote dhe kjo i mundësohet vetëm myslimanit me ndihmën e Allahut Xh.Sh.”- tha përfaqësuesi i BFI-së, Jusuf Zimeri.
 
Një numër i madh i qytetarëve kishin dalë t’i përcjellin të afërmit e tyre. Besimtarët të emocionuar u shprehën të lumtur që kanë mundësi për kryerjen e kushtit të pestë të islamit dhe vizitën e vendeve të shenjta.
 
“Hera e katërt që shkoj dhe është kënaqësi e madhe të jesh atje, Allahu e ka bekuar atë vend. I kisha porosit haxhilerët para se të nisen le ta përgatisin një listë me lutje se atje kur të shkojnë do të harrojnë edhe emrin e vetë, sepse emocionet janë shumë të mëdha dhe përjetimi është i madh, ndoshta kjo vërehet edhe tek unë, emocionet, edhe pse shkoj për herë të katërt, ai vend është tërheqës”- tha një haxhilerë.  
 
“Ndjenja është fantastike, është një bekim i Zotit që ta mbush shpirtin me energji pozitive. Unë jam motër medicinale me profesion dhe shkoj si ekip i haxhilerëve. Sa më shumë që shkon, të shtohet dëshira të shkosh çdo vit, gjithmonë të duket pak. Atje Allahu të ndihmon, të jep forcë të jep, energji fizike, psikike, atje ripërtërihesh, të gjitha sëmundjet të shërohen”- theksoi një haxhilere.
 
“Me Zotin para falim namazin, shkojmë në Qabe, Meke, për gjitha të mirat që kemi falënderojmë Allahun”- u shpreh një haxhilerë. 
 
Haxhi është një nga ngjarjet më të rëndësishme të kalendarit Islam. Haxhi është një obligim fetar për çdo mysliman që është në gjendje ta kryej atë të paktën një herë në jetë nëse arrijnë mundësitë materiale dhe shëndetësore.
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI