Maqedonia feston 8 Shtatorin, Ditën e Pavarësisë
Republika e Maqedonisë sot shënon 24 vite nga referendumi i mbajtur me sukses, në të cilin qytetarët e Maqedonisë u deklaruan për shtet të pavarur dhe sovran...

Shumica absolute, mbi 95 për qind të qytetarëve që dolën në referendumin e 8 shtatorit të vitit 1991, pozitivisht iu përgjigjën pyetjes së referendumit “A jeni për Maqedoni të pavarur me të drejtë të hyjë në fuqi në aleancën e ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë”.
Referendumit i parapriu Deklarata për pavarësi të cilën Parlamenti i parë i Maqedonisë shumë partiake e miratoi më 25 janar të vitit 1991. Formalisht, vullneti i popullit për shtet të pavarur ishte konstatuar me Deklaratën për pranimin e rezultateve të referendumit më 18 shtator të vitit 1991 në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.Hap i ardhshëm me rëndësi në përforcimin e shtetit ishte miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor 1991.
Hije në ngjarjet me të cilat u vendosën themelet e Maqedonisë së pavarur, hodhi bojkotimi i referendumit nga ana e një pjese të bashkësisë etnike shqiptare dhe mospërkrahja e Kushtetutës së re nga deputetët shqiptarë. Dhjetë vite më vonë Kushtetuta u plotësua pas konfliktit të vitit 2001 dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Duke folur për rëndësinë e 8 shtatorit Ditës së Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë. kryeministri, Nikolla Gruevski, tha se të gjitha teoritë se Maqedonia është një shtet i përkohshëm ranë në ujë.
“Që atëherë sfida kryesore është se si më mirë të rregullohet jeta dhe funksionimi i shtetit tonë, në kuadër të parimeve demokratike, dhe si më shpejtë në çdo aspekt të arrim standardet e komuniteteve në të cilat synojm të afrohemi: BE dhe NATO. Kemi kaluar nëpër shumë sfida dhe trazira, por të gjitha teoritë se Maqedonia është një shtet i përkohshëm ran në ujë. Maqedonia, me të gjitha problemet me të cilat u ballafaqua, eci përpara, ndonjëherë më shpejtë, ndonjëherë më ngadalë, por themelet ishin të fortë, dhe shtëpia ishte duke u mbindërtuar. Tani sfida më e madhe e Maqedonisë është antarsimi në NATO dhe BE dhe tejkalimin e problemit që vendosi Greqia” – tha kryeministri, Nikolla Gruevski.
Ndërkohë Kryetari I Kuvendit Trajko Veljanovski tha se Referendumi i 8 shtatorit të vitit 1991 është fitorja jonë më e madhe moderne, ndërsa vullneti i shprehur i qytetarëve paraqet rrumbullakim të aspiratave, parimeve dhe ëndrrave të gjeneratave nga të dy Ilindenët. Me rastin e 24 vjetorit të pavarësisë së maqedonisë urime dërguan kryetari I shtetit Ivanov, partite politke,ministra dhe funksioner të tjerë. (Flutura Rahimi-Latifi, TVM2)
