OH “Hilal” vazhdon aktivitetet për të ndihmuar refugjatët
Organizata Humanitare “Hilal”, e cila vepron në kuadër të Bashkësisë Fetare Islame...

Organizata Humanitare “Hilal”, e cila vepron në kuadër të Bashkësisë Fetare Islame, ka intensifikuar aksionet e saj për të shmangur katastrofën humanitare që po kanoset në kampet e refugjatëve në Gjevgjeli dhe Tabanovc.
Si pasojë e fluksit të madh të refugjatëve, ekipet e OH “Hilal”, me në krye kryetarin e kësaj organizate, Mustafa Dauti, çdo ditë janë në teren dhe po punojnë nga 24 orë për të shpërndarë ushqime, ujë dhe pije freskuese për 1200 deri në 1500 persona në ditë.
Për këtë arsye, kjo organizatë ka ngritur edhe një kabinë të posaçme dhe të përhershme e cila do të funksionojë non stop në dhënien e ndihmave humanitare për refugjatët, numri i të cilëve rritet çdo ditë e më shumë.
OH “Hilal” falënderon të gjithë donatorët që me ndihmat e tyre mundësojnë që të lehtësohen dhimbjet e këtyre njerëzve.
Edhe UNHCR-ja po tregon një dedikim të posaçëm në kooperimin me OH “Hilal”, e cila këtë organizatë e ka cilësuar si një nga organizatat humanitare më aktive gjatë kësaj krize humanitare.
