Botë

Prishtina fajëson Beogradin se nuk po ofron informacione për të pagjeturit

08.09.2015 18:00

Gjatë një diskutimi të organizuar nga Bashkimi Evropian në Kosovë me temën: “Personat e zhdukur – rruga përpara”...

Gjatë një diskutimi të organizuar nga Bashkimi Evropian në Kosovë me temën: “Personat e zhdukur – rruga përpara”, është diskutuar për shkëmbimin e informatave ndërmjet Serbisë dhe Kosovës për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur të luftës, rolin e mjekësisë ligjore në procesin e identifikimit dhe kthimin e eshtrave te familjarët për varrimin e tyre.
 
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka deklaruar me këtë rast se beteja për të zhdukurit po shndërrohet në një nga ankthet më të vështira të luftës që lidh shoqërinë me të tashmen dhe të kaluarën.
 
Ajo ka fajësuar autoritetet serbe për përparimet e ngadalshme, duke thënë se në Beograd nuk ka gatishmëri të mjaftueshme për bashkëpunim.
 
Presidentja e Kosovës ka thënë po ashtu se ka pasur shumë herë iniciativa për të zbardhur fatin e të pagjeturve, por përparimi ka qenë i ngadalshëm.
 
Pas vendosjes së një bashkëpunimi në të kaluarën, gjatë vitit 2015, kishte ngecje të dukshme në shkëmbimin e informatave ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ka deklaruar në anën tjetër përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar.
 
Ndërkaq, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, e ka fajësuar vetëm palën serbe për ngecje në shkëmbimin e informatave.
 
Bazuar në statistikat zyrtare të prezantuara në këtë konferencë nga ministri i Drejtësisë, u tha se ka edhe 1655 persona të pagjetur të luftës.