Botë
Shpërthimi i "Cotopaxi", Banorët e Ekuadorit me sytë nga Virgjëresha për mbrojtje nga vullkani
08.09.2015 21:24
Për tre javë me radhë, banorët në jug të kryeqytetit Quito kanë bashkëjetuar me hirin e vullkanit Cotopaxi...

Teksa shumica e banorëve nga qytetet Mulalo, San Agustin de Callo dhe El Chaupi janë evakuuar vullnetarisht, ata që kanë mbetur aty i kanë kthyer sytë nga Perëndia, së cilës i luten ti mbrojë nga vullkani agresiv.
Besimtarët në këto zona rurale kanë marrë një kopje të Virgjëreshës së El Quinche dhe shkojnë lagje më lagje, duke u lutur për mbrojtje.
“Vizita e Virgjëreshës së Bekuar El Quinche në famullinë tonë El Chaupi, sidomos në lagjen “El Pucara”, është për shkak të momentit tragjik që po jetojmë pas shpërthimit të Cotopaxit.Ne presim që ajo të mbulojë secilin prej nesh, jo vetëm ne të famullisë, por edhe të gjithë ata që janë prekur nga kjo ngjarje me mantelin e saj për të na mbrojtur”, thotë Tatiana Quintana, banore e El Chaupit.
Në këtë mënyrë, banorët po kërkojnë mbrojtje edhe për shtëpitë, kafshët dhe kullotat e zonës. Disa prej pronarëve i kanë evakuar edhe bagëtitë, por sërish në fshatra ka ende kafshë që jetojnë me pluhurin e vullkanit.
Aktivistë të kafshëve nga Quito udhëtuan në zonën e prekur për të shpëtuar kafshët e braktisura. Ata shpëtuan 24 qen dhe mace, duke i strehuar në një qendër të posatshme në Latacunga.
Të dielën, hiri u ngrit 1000 metra mbi krater, teksa autoritetet raportojnë se për 12 orë, në vullkan janë regjistruar 38 lëkundje.
Në muajin gusht, Presidenti i Ekuadorit Rafael Correa deklaroi gjendjen e jashtëzakonshme pas aktivitetit në rritje në vullkanin gjigand Cotopaxi, duke i dhënë qeverisë liri më të madhe veprimi për të mobilizuar burimet financiare në rast të një shpërthimi.
Cotopaxi është një nga vullkanet me aktivitetin më të lartë në botë, por edhe më i vizituari nga turistët. Shpërthimi i tij i fundit ndodhi në vitin 1940.
