Plani për refugjatët, Juncker: BE t’i japë zgjidhje krizës
Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, bëri publike planet e bllokut për frenimin e krizës më të rëndë të emigrantëve që prej Luftës së Dytë Botërore...

Sipas propozimeve të hedhura në tryezë, 120 mijë azilkërkues do të shpërndahen mes vendeve anëtare të bllokut me kuota të detyrueshme. Sistemi i kuotave e ndihmon Berlinin e Parisin të heqin nga shpatullat një pjesë të barrës, duke detyruar vendet e tjera të marrin emigrantë në procesin e shqyrtimit të pretendimeve të tyre për azil.
“Ne evropianët duhet të kujtojmë se Evropa është një kontinent ku pothuajse të gjithë në një moment të caktuar kanë qenë refugjatë. Ne evropianët duhet ta dimë e të mos e harrojmë kurrë se e drejta e azilit është një prej të drejtave themelore dhe më të rëndësishme të njeriut. Është e vërtetë se Evropa nuk ofron dot strehë për të gjithë mjerimin në botë. Por, të paktën mund të bëjmë diçka”- deklaroi kryetari i KE-së, Jean-Claude Juncker.
Por, krahu ekzekutiv i BE-së duhet të përgatitet edhe për përplasje të reja, sidomos me vendet e Evropës Lindore, më të varfra se të tjerët në bllokun evropian, të cilat e kanë bërë të qartë me kohë kundërshtinë ndaj skemës së shpërndarjes.
Me përllogaritjet e Komisionit, Polonia, mes tjerash, që pretendon se mund të pranojë vetëm 2000 vetë, do të duhet të marrë sipas propozimeve të reja 12 mijë azilantë.
Me 160 mijë refugjatët që synon të sistemojë, programi evropian i rishpërndarjes është shumë i vogël krahasuar me 800 mijë emigrantët që vetëm Gjermania llogarit të marrë këtë vit. Berlini, siç e ka bërë të qartë vetë, synon më shumë që t’i bindë partnerët e BE-së të jenë pjesë e zgjidhjes së këtij ngërçi, me qëllimin të ruhet uniteti evropian përballë krizës më të ngutshme të momentit, me të cilën përballet kontinenti i vjetër. (Migena Gorenca, TVM2)
