Marrëveshja me Iranin, 41 senatorë pro, Obama siguron votat për të shmangur dështimin
Shtëpia e Bardhë është e kënaqur me mbështetjen e 41 senatorëve të cilët u zotuan se do të votojnë marrëveshjen bërthamore me Iranin...

Kështu deklaroi zëdhënësi, Josh Earnest, duke shtuar se administrata Obama pret rritje të mëtejshme të mbështetjes nga anëtarët e Kongresit.
“Ne sigurisht që presim mbështetje edhe nga anëtarë të tjerë të Kongresit, në mënyrë që të marrim hapat e nevojshëm që Kongresi të mos minojë marrëveshjen bërthamore”- deklaroi zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest.
Mbështetja e 40 senatorëve demokratë dhe të pavarur në dhomën 100-vendëshe do të jetë e mjaftueshme për të bllokuar një rezolutë të republikanëve kundër miratimit të marrëveshjes mes fuqive botërore dhe Iranit.
Kjo i kursen presidentit amerikan, Barak Obama, përdorimin e vetos ndaj një mocioni mosmiratimi të saj nga Kongresi amerikan. Për të bllokuar rezolutën, mbështetësit e marrëveshjes duhet të votojnë kundër mocionit procedurial që i jep fund debatit dhe kërkon mbajtjen e votimit.
Republikanët, të cilët kontrollojnë shumicën në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve, kërkojnë që Senati të votojë dhe jo të anashkalojë procesin me mjete procedurale. Kongresi ka kohë deri më 17 shtator për të kaluar rezolutën. Obama deri atëherë ka 12 ditë për të vënë veton dhe Kongresi ka 10 të tjera për të shkelur veton e tij. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)
