BDI: Nuk kemi mosmarrëveshje, sulmet mediatike, fushatë antishqiptare e anti-BDI

09.09.2015 14:39

BDI, përmes një komunikate me shkrim ka reaguar ndaj lajmeve tendencioze për kinse mosmarrëveshjeve në partinë me të madhe shqiptare rreth emërtimit të kryetarit të shtabit zgjedhor, Bekim Nezirit....

Partia e Ahmetit sulmet e fundit mediale i quan pjesë të fushatës antishqiptare dhe anti-BDI, që po zhvillohen në mënyrë të koordinuar nga më shumë qarqe.

“Bekim Neziri është zgjedhur me propozim të kryetarit, Ali Ahmeti, dhe me vota unanime nga kryesia qendrore e BDI-së pa asnjë kundërshtim ose hezitim të vetëm dhe rrjedhimisht, që nga ajo ditë, të gjitha strukturat e partisë janë rreshtuar pas Shtabit Qendror Zgjedhor”- thuhet në komunikatën e BDI-së në të cilën potencohet se BDI nuk do të lejojë që qarqet antishqiptare të diktojnë politikën shqiptare në Maqedoni.

“Koha kur të tjerët kanë përfaqësuar shqiptarët dhe i kanë emërtuar të parët e tyre ka përfunduar dhe nuk do të përsëritet asnjëherë më. Sot, shqiptarët janë të zotë të vetvetes dhe nuk do të lejojnë që qarqe antishqiptare ta diktojnë dhe shfrytëzojnë politikën shqiptare në Maqedoni”- vazhdon komunikata.

BDI thotë se dikush  dëshiron të instalojë një sistem vasaliteti te shqiptarët.

“Ftojmë shqiptarët që mos të bien pre e këtyre fushatave tendencioze kundër BDI-së dhe kundër kryetarit Ahmeti, sepse ky projekt antishqiptar nuk ka për qëllim dëmtimin e vetëm një individi ose partie, po synon të rrënojë themelet e organizimit shoqëror e politik shqiptar dhe instalimin e një sistemi anarkie dhe vasaliteti të cilin dikur e kundërshtuam edhe me rezistencë të armatosur”- thuhet mes tjerash në komunikatën me shkrim të BDI-së. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)