Shfrytëzuesit e ndihmës sociale, pushim dimëror falas për 1 mijë fëmijë

09.09.2015 14:44

Shfrytëzuesit e ndihmës sociale, personat me ngecje në zhvillim dhe ata pa prindër dhe përkujdesje prindërore do të mund të shfrytëzojnë pushim dimëror falas në qytetin e Krushevës...

Personat e  interesuar për shfrytëzimin e pushimit falas mund të aplikojnë prej sot deri në 14 ditët e ardhshme. Qeveria për zbatimin e projektit ndan 12 milionë denarë, prej të cilave 8 milionë denarë janë për pushim falas veror për rreth 2.000 fëmijë dhe 4 milionë denarë për 1 mijë fëmijë për pushim dimëror falas.

“Ky është një nga projektet që u ndihmon atyre familjeve të cilat ndoshta nuk kanë mjete të mjaftueshme që t'u sigurojnë fëmijëve të tyre pushim veror ose dimëror, me ç'rast ne si Qeveri ua japim këtë mundësi”- deklaroi ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov.

Në pushim dimëror falas mund të shkojnë fëmijë prej klasës së pestë deri në klasën e nëntë me qëndrim gjashtëditor që përfshin pesë pansione të plota me aktivitete adekuate edukative, rekreative dhe zbavitëse gjatë periudhës së pushimit.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale do të vazhdojë me realizimin e projekteve të cilat e ndihmojnë jetën e kësaj kategorie të shoqërisë. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)